Lidhje


Trump kërcënon aleatët: Kush nuk ndihmon për Hormuzin, do ta paguajë!

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendet aleate dhe shtetet që përfitojnë nga trafiku i naftës në Ngushticën e Hormuzit se Shtetet e Bashkuara do të “kujtojnë” se cilat prej tyre nuk ndihmojnë në sigurimin dhe rihapjen e kësaj rruge strategjike detare.

 

Në një intervistë për Financial Times dhe më pas gjatë një deklarate për gazetarët në avionin presidencial Air Force One, Trump tha se Uashingtoni është në bisedime me rreth shtatë vende për të krijuar një koalicion që të patrullojë dhe të mbrojë kalimin e cisternave të naftës në këtë kanal jetik për energjinë globale.

 

Presidenti amerikan përmendi veçanërisht Kinën si një nga vendet që mund të kontribuojnë në këtë përpjekje, duke theksuar se ekonomia kineze varet ndjeshëm nga furnizimet me naftë që kalojnë përmes kësaj ngushtice. Ai nuk bëri publike emrat e vendeve të tjera me të cilat po negocion, por u referua aleancës së NATO dhe vendeve që, sipas tij, duhet të mbrojnë edhe interesat e tyre energjetike.

 

Trump deklaroi se është “plotësisht e arsyeshme” që vendet që përfitojnë nga kjo rrugë detare të kontribuojnë në mbajtjen e saj të hapur. Ai paralajmëroi se nëse aleatët nuk reagojnë, kjo mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e NATO-s.

 

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensionesh të larta në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më kritike të transportit energjetik në botë. Përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë, çka e bën çdo përshkallëzim në rajon një rrezik të drejtpërdrejtë për tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe stabilitetin ekonomik global.

XS
SM
MD
LG