Lidhje


Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit të Japonisë

 

Koreja e Veriut ka lëshuar rreth 10 raketa balistike drejt Detit të Japonisë, në një tjetër provokim që rrit tensionet në rajon. Lajmi u konfirmua nga ushtria e Koresë së Jugut. Sipas Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut, raketat u hodhën rreth orës 13:20 nga zona e Sunan dhe fluturuan rreth 350 kilometra drejt Detit të Japonisë (East Sea sipas Seulit). Autoritetet ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA po analizojnë detajet teknike të raketave.

 

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë konfirmoi gjithashtu lëshimin, duke njoftuar se raketat arritën lartësi maksimale prej rreth 80 kilometrash dhe ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike japoneze, pranë bregut lindor të Gadishullit Korean. Ushtria e Seulit deklaroi se mbetet në gatishmëri të plotë për t’u përgjigjur ndaj çdo provokimi.

 

Presidenca e Koresë së Jugut e dënoi veprimin si shkelje të rezolutave të OKB-së. Ajo i bëri thirrje Phenianit të ndalojë menjëherë veprime të tilla. Ky sulm raketor ndodhi ndërsa zhvilloheshin stërvitjet ushtarake të përbashkëta SHBA-Koreja e Jugut, të cilat Pheniani i konsideron provokim.

XS
SM
MD
LG