Izraeli përgatitet të vendosë një forcë ndërkombëtare në Gaza në maj
Izraeli po përgatitet të vendosë një forcë ndërkombëtare në Rripin e Gazës duke filluar nga muaji maj, si pjesë e fazës së ardhshme të një plani të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas një raporti të transmetuesit publik izraelit KAN të publikuar më 14 mars.
Sipas raportimit, forca pritet të përfshijë rreth 5.000 trupa nga Indonezia, si dhe dhjetëra ushtarë nga Kazakistani, Maroku, Shqipëria dhe Kosova. Transmetuesi publik izraelit bëri të ditur se kjo forcë mund të nisë operimin më 1 maj.
Fillimisht, trupat do të vendosen rreth një qyteti palestinez që po ndërtohet me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në zonën e Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, përpara se të shtrijnë praninë e tyre edhe në pjesë të tjera të territorit.
Sipas raportit, delegacione ushtarake nga vendet pjesëmarrëse pritet të mbërrijnë në Izrael brenda dy javësh për të kryer vizita vëzhgimi në Gaza përpara vendosjes së forcës.
Më pas, kjo forcë pritet të zgjerojë praninë e saj në zona pranë asaj që mediat izraelite e quajnë “vija e verdhë”, një kufi i përkohshëm brenda Gazës ku forcat izraelite janë tërhequr përkohësisht sipas marrëveshjes së armëpushimit, duke ndarë zonat e kontrolluara nga Izraeli nga ato ku palestinezët lejohen të qëndrojnë.
Raporti shton gjithashtu se qindra trupa të huaj pritet të udhëtojnë muajin e ardhshëm në Jordani për stërvitje, përpara se të hyjnë në Gaza si pjesë e forcës ndërkombëtare.
Më 9 shkurt, transmetuesi izraelit kishte raportuar se kishin nisur përgatitjet për mbërritjen e mijëra ushtarëve indonezianë si pjesë e forcës së stabilizimit të parashikuar në planin e Trump për përfundimin e luftës në Gaza.