Afganistani akuzon Pakistanin për sulm ajror në Kabul, raportohet për qindra viktima
Afganistani ka akuzuar Pakistanin për një sulm ajror që, sipas autoriteteve afgane, goditi një spital rehabilitimi në kryeqytetin Kabul, duke shkaktuar të paktën 400 të vdekur dhe rreth 250 të plagosur, përcjell DW.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë afgane, Hamdullah Fitrat, deklaroi në rrjetet sociale se sulmi ndodhi rreth orës 21:00 sipas kohës lokale dhe shkatërroi pjesë të mëdha të spitalit me kapacitet prej 2 mijë shtretërish. Sipas tij, shumica e viktimave ishin pacientë të shtruar në këtë institucion.
Edhe zëdhënësi tjetër i qeverisë, Zabihullah Mujahid, konfirmoi se të vrarët dhe të plagosurit ishin pacientë të spitalit.
Nga ana tjetër, Pakistani i ka hedhur poshtë këto akuza. Ministri i Informacionit, Attaullah Tarar, deklaroi se ushtria pakistaneze ka kryer “sulme ajrore precize” duke synuar objekte ushtarake në Kabul dhe në provincën lindore Nangarhar, dhe jo zona civile.
Ngjarja vjen pas përplasjeve të fundit në kufirin mes dy vendeve, ku sipas autoriteteve afgane u vranë katër persona, si dhe në një kohë kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje autoriteteve talebane të intensifikojnë luftën kundër terrorizmit.
Ky incident shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Afganistanit dhe Pakistanit, të cilat kanë nisur që prej muajit të kaluar dhe kanë përfshirë përplasje ndërkufitare dhe sulme ajrore reciproke.