Emaili i Epstein që përmend ISIS-in trazon rrjetin - Dokumenti nga ‘Epstein Files’ në qendër të vëmendjes
Një dokument i publikuar në arkivin e njohur si “Epstein Files” ka rikthyer në qendër të vëmendjes komunikimet elektronike të financierit amerikan Jeffrey Epstein, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për një email të datës shtator 2016, i indeksuar me kodin EFTA00819212, i cili përfshihet në materialet e publikuara nga autoritetet amerikane në kuadër të transparencës mbi dosjen Epstein. Dokumenti përmban një shkëmbim mes Epstein dhe biznesmenit Tom Pritzker.
Në përmbajtjen e këtij komunikimi përmenden disa organizata dhe zhvillime në Lindjen e Mesme, përfshirë ISIS-in, al-Nusra dhe al-Qaeda. Në një nga frazat e emailit citohet se “SHBA i jep një lloj kalimi ISIS-it drejt Palmyrës”, ndërsa në një tjetër pjesë përmenden një sërë grupesh të armatosura në rajon.
Dokumenti është pjesë e një voluminoze arkive me miliona faqe që janë bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku përfshihen komunikime, kontakte dhe materiale të tjera të lidhura me aktivitetin dhe rrjetin e Epstein.
Pas publikimit dhe riqarkullimit të këtij fragmenti, ai është shpërndarë gjerësisht në platforma të ndryshme online, duke u shoqëruar me interpretime dhe diskutime mbi përmbajtjen e tij.
Arkivi “Epstein Files” vazhdon të analizohet nga media dhe përdorues të ndryshëm, ndërsa dokumente të veçanta, si ky email, po tërheqin vëmendje të veçantë për shkak të referencave që përmbajnë ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.