Lidhje


Birn: Traktati i Taksave i OKB - një mekanizëm për të luftuar pabarazinë globale

 

Shtatë organizata ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut i bënë thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara të mbështesin Traktatin e Taksave, që synon barazinë ekonomike globale dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut.

 

Deklarata është nënshkruar nga Amnesty International, Qendra për të Drejta Sociale dhe Ekonomike, organizata Dejusticia, Iniciativa Globale për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Human Rights Watch, Iniciativa për të Drejtat Njerëzore dhe Politikat Fiskale dhe Rrjeti i Drejtësisë së Taksave.

 

Sipas deklaratës, rreth 500 bilionë dollarë humbasin çdo vit në rang global për shkak të abuzimeve me taksat. Konventa e Taksave të Kombeve të Bashkuara mund të ndihmojë në gjenerimin e të ardhurave qeveritare, duke shmanguar evazionin fiskal, duke parandaluar kompanitë nga përfitimet e padrejta, dhe duke i dhënë të drejtën qeverive të taksojnë kompanitë, fitimi i të cilave nuk deklarohet.

 

“Rregullimi i sistemit aktual të taksave është kritik për të siguruar mbështetjen universale për të drejtat e njeriut,” theksojnë shtatë organizatat.

 

“Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të punojnë për të përshtatur Konventën e Taksës së Kombeve të Bashkuara me të drejtat ndërkombëtare të njeriut në mënyrë që të arrihen objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm,” shton më tej deklarata.

 

Kërkime në vende të ndryshme kanë treguar se sistemi global i taksave përcakton aftësinë e qeverive për të financuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gati gjysma e popullsisë botërore jeton në varfëri me më pak se 6.85 dollarë në ditë dhe nuk kanë gjithashtu akses në sigurime shoqërore apo shërbime bazë shëndetësore.

 

“Sistemi aktual global i vjetërsuar i taksave po nxit një përqëndrim ekstrem të pasurisë, që nga ana tjetër po u privon qeverive fonde të cilat mund të ishin përdorur për të promovuar të drejtat shëndetësore, arsimore dhe sigurinë sociale,” deklaroi Sarah Saadoun, këshilluese e lartë mbi pabarazinë ekonomike pranë Human Rights Watch.

 

Negociatat për Traktatin e parë të Taksave të Kombeve të Bashkuara filluan në vitin 2025, teksa drafti i parë pritet të dorëzohet nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2027. SHBA u tërhoq në raundin e parë të negociatave, por dhjetra shtete të Bashkimit Europian janë përfshirë në mënyrë aktive në këto negociata./Reporter.al

XS
SM
MD
LG