Lidhje


Cilat figura kryesore iraniane janë vrarë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit?

 

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit kanë vrarë disa figura të larta politike dhe ushtarake, duke goditur udhëheqjen thelbësore të Republikës Islamike. Ndërkohë, lufta rajonale po dëmton theksueshëm tregjet e energjisë dhe transportin global.

 

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar të mërkurën (18.03.2026) për disa nga figurat më të shquara të vrara nga sulmet amerikano-izraelite:

 

Lideri suprem                     

 

Ajatollah Ali Khamenei, i cili si lider suprem që nga viti 1989 vendosi kontroll të hekurt mbi Iranin, ndërsa rrënjosi armiqësinë ndaj SHBA-së dhe Izraelit, u vra në moshën 86-vjeçare në një sulm ajror amerikano-izraelit në kompleksin e tij më 28 shkurt.

 

Sundimi i tij prej më shumë se tre dekadash u shënua nga konsolidimi i pushtetit përmes aparatit të sigurisë dhe zgjerimit të ndikimit rajonal të Iranit, edhe pse tensionet mbi programin e tij bërthamor e çuan vazhdimisht drejt konfrontimit me Perëndimin.

 

Zyrtarët e lartë

 

Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe aparatçik veteran i pushtetit, u vra në moshën 67-vjeçare në një sulm ajror amerikano-izraelit në zonën Pardis më 17 mars, së bashku me djalin dhe një nga zëvendësit e tij, raportuan mediat iraniane.

 

Ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe negociator i programit bërthamor, ai ishte këshilltar i ngushtë i liderit suprem të vrarë dhe luajti rol të rëndësishëm në formësimin e sigurisë dhe politikës së jashtme të Iranit.

 

Esmail Khatib, ministri i Inteligjencës i Iranit, u vra në një sulm izraelit më 18 mars. Klerik dhe politikan i linjës së ashpër, ai punoi në zyrën e Ajatollah Ali Khameneit dhe u mentorua prej tij, përpara se ta merrte drejtimin e aparatit civil të inteligjencës në gusht 2021.

 

Ali Shamkhani, këshilltar i ngushtë i Khameneit dhe figurë kyçe në politikën e sigurisë dhe programit bërthamor të Iranit, u vra në sulmet amerikano-izraelite në Teheran më 28 shkurt.

 

Ai më parë i kishte mbijetuar një sulmi në shtëpinë e tij gjatë luftës 12-ditore të qershorit 2025 midis Izraelit dhe Iranit.

 

Komandantët e lartë ushtarakë

 

Mohammad Pakpour, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit, forca më e fuqishme ushtarake e Iranit, u vra në sulmet e 28 shkurtit në Teheran, kanë shkruar mediat shtetërore iraniane. Ai u ngjit në radhët e Gardës Revolucionare pasi paraardhësi i tij, Hossein Salami, do të vritej në luftën 12-ditore në qershorin e vitit 2025.

 

Aziz Nasirzadeh, ministri i Mbrojtjes i Iranit dhe oficer karriere i forcave ajrore, u vra në të njëjtën valë sulmesh që synonin udhëheqjen e lartë në Teheran më 28 shkurt, sipas burimeve të Reutersit. Ai pati rol kyç në planifikimin ushtarak dhe politikën e mbrojtjes.

 

Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, u vra në sulmet e 28 shkurtit gjatë atij që media iraniane e quajti takim të udhëheqjes së lartë në Teheran. Ai ishte përgjegjës për koordinimin e degëve ushtarake të Iranit dhe mbikëqyrjen e forcave konvencionale.

 

Gholamreza Soleimani, komandant i forcës paramilitare iraniane, Basij, u vra në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit më 17 mars, sipas medias shtetërore iraniane. Oficer i lartë i Gardës Revolucionare, ai udhëhoqi forcën qendrore për sigurinë e brendshme dhe zbatimin e autoritetit shtetëror.

XS
SM
MD
LG