Lidhje


Trump përballet me një ngërç për luftën në Iran

 

Duke dështuar të përcaktojë qartë një objektiv apo një strategji daljeje — dhe të bindë publikun amerikan për një luftë të re në Iran — Presidenti Donald Trump gjendet në një ngërç, vetëm disa javë pasi ka nisur konflikti.

 

Kësaj i shtohet edhe dorëheqja protestuese, shumë e bujshme, e një zyrtari të lartë amerikan të kundërterrorizmit të martën, i cili deklaroi publikisht se Republika Islamike “nuk përbën asnjë kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë” dhe se nuk mund “me ndërgjegje të pastër të mbështesë luftën në vazhdim në Iran.”

 

Trump ka deklaruar vazhdimisht se Irani është “shkatërruar” nga goditjet amerikane dhe izraelite, duke lënë të kuptohet se ndodhet në një pozicion për të shpallur fitoren.

 

Por lideri republikan nuk ka shkuar deri aty — dhe për arsye të mirë.

 

Për t’i dhënë fund një lufte duhen të dyja palët, përveç rastit kur kundërshtari kapitullon.

 

Irani, megjithëse i dobësuar rëndë ushtarakisht dhe politikisht nga një valë sulmesh ajrore që nisën më 28 shkurt, nuk ka shprehur asnjë qëllim për t’u dorëzuar.

 

Ndërsa Trump ka thënë se SHBA ka shkatërruar flotën detare iraniane, raketat balistike dhe një pjesë të madhe të lidershipit të tij, mediat amerikane raportojnë se ai nuk ka parashikuar plotësisht aftësinë e mbetur të Iranit për kundërpërgjigje të gjera.

 

Kjo mund të jetë pikërisht problemi kryesor për Trump.

 

Ndërsa lufta hyri në javën e tretë, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, ndërsa dhuna u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, nga Libani deri në Gjirin Persik — përfshirë edhe sulme ndaj ambasadës amerikane në Irak.

 

Në këtë kontekst, presidenti amerikan po paguan koston e vendimit për t’iu bashkuar Izraelit pa një mandat të qartë dhe pa konsultuar Kongresin apo aleatët e tij ndërkombëtarë.

 

Vendet evropiane dhe aleatë të tjerë refuzuan në mënyrë të tërthortë kërkesat e Trump për ndihmë në ngushticën e Hormuzit, rrugë detare jetike që është bllokuar në mënyrë efektive nga Irani.

 

Të martën, Trump ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se nuk kishte më nevojë për ndihmën e tyre.

 

Në një pranim të rrallë, Trump tha të hënën se ishte befasuar nga kundërpërgjigjet iraniane ndaj vendeve të Gjirit — nga Arabia Saudite deri në Katar — pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Teherani.

 

“Ata nuk duhej të sulmonin gjithë këto vende të tjera në Lindjen e Mesme,” tha Trump për Iranin. “Askush nuk e priste këtë. U befasuam.”

 

Ngërç diplomatik

 

Richard Haass, president nderi i Council on Foreign Relations, tha në një analizë të fundit se “ndërsa Shtetet e Bashkuara e nisën këtë konflikt vetë, për ta ndalur atë do të nevojitet miratimi si i Izraelit ashtu edhe i Iranit.”

 

“Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më shumë balanca mes kostove dhe përfitimeve anon nga kostot,” shtoi ai.

 

Për SHBA-në, përtej dobësimit afatgjatë të Iranit, fitorja do të nënkuptonte rikthimin e trafikut detar në ngushticën e Hormuzit për të stabilizuar furnizimin global me naftë, si dhe ndalimin e sulmeve të Teheranit ndaj fqinjëve të tij.

 

Megjithatë, shumë analistë vlerësojnë se kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes forcës ushtarake.

 

Rruga diplomatike është ngushtuar ndjeshëm, por mbetet ende një opsion dhe do të varet pjesërisht nga vullneti i Republikës Islamike.

 

Pyetja mbetet: kush do të ulet në tryezën e negociatave?

 

“Në këtë pikë nuk ka zgjidhje ideale, vetëm alternativa më pak të këqija,” tha Sina Toossi.

 

“Skenari më realist është një deeskalim i negociuar që u lejon të gjitha palëve të ruajnë fytyrën. SHBA mund të pretendojë se ka dobësuar kapacitetet e Iranit, ndërsa Irani mund të pretendojë se ka përballuar presionin dhe ka treguar se mund të kundërpërgjigjet,” shtoi ai.

 

Në një plan më të gjerë, ai theksoi se “stabiliteti në Gjirin Persik kërkon në fund të fundit një lloj marrëveshjeje me Iranin.”

 

Mona Yacoubian, drejtuese e programit për Lindjen e Mesme në CSIS, u shpreh se rajoni “po jeton aktualisht skenarin e tij më të keq.”

 

“Qeveritë e Gjirit do të duhet të gjejnë një rrugë përpara që pranon praninë e qëndrueshme të Iranit në rajon,” tha ajo.

 

Ndërkohë, aleatët e SHBA-së nuk e fshehin më frustrimin e tyre.

 

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të hënën se lufta e SHBA-së kundër Iranit nuk është çështje e NATO-s dhe se Berlini nuk do të përfshihet në konflikt apo të ndihmojë në hapjen e qarkullimit në ngushticën e Hormuzit.

 

Merz theksoi se bisedimet për një zgjidhje diplomatike nuk mund të nisin pa deklarimin nga ana e SHBA-së dhe Izraelit se kanë arritur objektivat e tyre ushtarake.

XS
SM
MD
LG