Lufta me Iranin/ Trump bisedë telefonike me Starmer, theksi te Ngushtica e Hormuzit
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike, e cila ka zgjatur rreth 20 minuta dhe është cilësuar si “konstruktive”.
Sipas agjencisë së lajmeve PA, gjatë telefonatës dy liderët diskutuan zhvillimet në Lindjen e Mesme, me fokus të veçantë te situata në Ngushtica e Hormuzit, një arterie kyçe për transportin global të naftës dhe gazit.
Një zëdhënës i Downing Street bëri të ditur se Starmer dhe Trump theksuan rëndësinë e rihapjes së kësaj ngushtice për të garantuar vazhdimësinë e transportit detar dhe stabilitetin në tregjet ndërkombëtare të energjisë. “Ata ranë dakord se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për stabilitetin global të energjisë”, thuhet në deklaratë.
Dy liderët gjithashtu u dakordësuan të mbajnë kontakte të mëtejshme dhe të zhvillojnë një tjetër bisedë në një kohë të afërt.
Ndërkohë, në një zhvillim paralel, Trump ka shpërndarë në rrjetin e tij social Truth Social një skeç satirik nga Saturday Night Live, ku ironizohej një telefonatë e mundshme mes tij, Starmer dhe zëvendëskryeministrit David Lammy. Në skeç, personazhi i Starmer shfaqet i shqetësuar për mënyrën se si duhet të komunikojë me presidentin amerikan, duke përmendur edhe ish-kryeministren Liz Truss.