Pentagon pritet të dërgojë mijëra ushtarë nga Divizioni elitar i 82-të Ajror në Lindjen e Mesme, sipas Reuters, që citon dy burime të njohura me çështjen, në një kohë kur administrata e Donald Trump po kërkon një marrëveshje të mundshme me Irani për t’i dhënë fund konfliktit në rajon. Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk specifikuan vendndodhjen e saktë të dislokimit apo afatin e mbërritjes së trupave, të cilat aktualisht janë të stacionuara në Fort Bragg, në Karolinën e Veriut, ndërsa ushtria amerikane ia referoi komentet Shtëpia e Bardhë, e cila theksoi se çdo njoftim zyrtar do të vijë nga Pentagoni.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se presidenti i ka gjithmonë në dispozicion të gjitha opsionet ushtarake, ndërsa një nga burimet theksoi se nuk është marrë ende vendim për dërgimin e trupave në Iran, por një lëvizje e tillë do të rrisë kapacitetet për operacione të mundshme në të ardhmen. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një dislokim prej rreth 3,000 deri në 4,000 ushtarësh, që i shtohen forcave ekzistuese amerikane në rajon, përfshirë mijëra marinsa dhe marinarë në bordin e anijes sulmuese amfibe USS Boxer dhe njësive shoqëruese, ndërsa Wall Street Journal raportoi se një urdhër zyrtar pritet brenda orëve. Para këtij zhvillimi, në Lindjen e Mesme ndodheshin rreth 50,000 trupa amerikane, ndërsa sipas një zyrtari amerikan, 13 ushtarë janë vrarë dhe 290 janë plagosur në konflikt.
Ndërkohë, Donald Trump të martën tërhoqi kërcënimin për të bombarduar objektet energjetike iraniane, duke deklaruar se kishte pasur bisedime “produktive” me Teheranin, megjithëse pala iraniane i mohoi këto pretendime. Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se “SHBA-të po negociojnë me veten”, ndërsa Ebrahim Zolfaghari ironizoi pretendimet për negociata, duke theksuar se stabiliteti rajonal, sipas tij, varet nga forcat e armatosura iraniane.