Abuzim, pushtet dhe heshtje! Rrëfimet e grave që i mbijetuan Epsteinit: Atij i pëlqente frika në sytë tanë! Sot nuk buzëqesh njësoj
Joanna Harrison nuk kishte dashur kurrë të fliste për abuzimin që kishte përjetuar nga pedofili Jeffrey Epstein. Si shumë të mbijetuara, ajo thotë se abuzimi i Epsteinit e mbushi me turp dhe siklet. Por pasi emri i saj u bë publik pa qëllim gjatë publikimit të miliona dokumenteve nga qeveria amerikane, ajo tha për BBC Newsnight se ndieu se duhej të fliste.
“Arrin një moment kur ndihesh e mbytur dhe ke nevojë të marrësh frymë, dhe mendoj se kjo është mënyra ime për të marrë frymë,” tha Harrison.
Krah saj ishin edhe katër viktima të tjera të Epsteinit. Ndërsa shikonin fotografi të tyre nga koha kur u takuan për herë të parë me Epsteinin, pati edhe lot. Ato ndanë rrëfime për ishullin privat të Epsteinit dhe momente të frikshme në fermën e tij në New Mexico. Sipas tyre, personat e fuqishëm me të cilat ai shoqërohej ka shumë gjasa ta kenë ditur se çfarë po ndodhte.
Harrison tha se nuk kishte dashur kurrë që dokumentet të publikoheshin, nga frika se do të humbiste anonimitetin e saj.

Ghislaine Maxwell dhe Kevin Spacey
“Nuk është normale të shohësh fytyrën e abuzuesit tënd çdo ditë për gjashtë vjet në televizion,” tha ajo. Harrison e kishte takuar për herë të parë Epsteinin në Florida kur ishte 18 vjeç dhe gjithçka kishte nisur me një masazh.
“Gjithçka dukej normale,” tha Harrison. “Kur ai filloi të masturbohej, unë ngriva plotësisht. Nuk besoj se thashë dy fjalë gjatë rrugës për në shtëpi.” Më pas ajo tregoi se Epstein e kishte përdhunuar në ditëlindjen e tij.
Chauntae Davies ndau imazhe të papublikuara më parë nga koha kur udhëtonte me Epstein në avionin e tij privat drejt Afrikës. Fotografitë përfshinin bashkëpunëtoren e Epstein, Ghislaine Maxwell, si edhe aktorin Kevin Spacey dhe ish-presidentin Bill Clinton. Spacey dhe Clinton po udhëtonin në një mision humanitar për të promovuar parandalimin e SIDA-s.
“Ishte vërtet një udhëtim që ndodh vetëm një herë në jetë dhe, fatkeqësisht, u njollos nga ajo që po ndodhte pas dyerve të mbyllura,” shtoi ajo.

Chauntae Davies dhe ish-presidenti Clinton
Davies ka rrëfyer se është përdhunuar nga Epstein në ishullin e tij privat pasi ishte punësuar për t’i bërë masazhe. Ajo kujtoi se në një aeroport në Portugali i kishte bërë masazh ish-presidentit Bill Clinton. Në atë kohë, ajo tha se kishte shkruar në ditarin e saj se ish-presidenti ishte i përulur, i sjellshëm dhe karizmatik. Madje, ajo e kishte ndihmuar edhe të blinte bizhuteri për të bijën, Chelsea.
Emri i Clinton shfaqet shpesh në dosjen Epstein, por nuk duket se ai ka kryer ndonjë vepër penale. Kevin Spacey ka kërkuar publikimin e dokumenteve duke thënë: “Për ne që s’kemi pse të trembemi, e vërteta po vonon.”
Më herët këtë vit, akuza të reja dolën në dritë në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë mbi Epsteinin, duke bërë të rihapej një hetim penal për fermën e tij, Zorro Ranch.
“Aty ndodhën shumica e abuzimeve. Kujtimet e mia më të errëta janë nga Zorro Ranch,” tha Davies. “Ishte një ndjesi e ftohtë, e errët dhe e frikshme aty brenda”, shtoi ajo, një mendim që iu bashkua edhe Lisa Phillips.
Davies tha se Epsteinit i pëlqente të mburrej me lidhjet dhe miqtë e tij të fuqishëm. Ai thoshte se i kishte huazuar para Sarah Ferguson, ish-dukeshës së Jorkut. Në pronën e Epsteinit, kishte fotografi të Ferguson me ish-bashkëshortin e saj, Andrew Mountbatten-Windsor, dhe vajzat e tyre.
Phillips tha se një mikeshë e saj e cila s’ka folur publikisht, dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me ish-princin, i cili ende mohon akuzat.
Phillips e kishte pyetur më vonë Epsteinin pse e kishte detyruar mikeshën e saj të kryente marrëdhënie seksuale me Mountbatten-Windsor. Ajo tha se ai i buzëqeshi me ironi dhe iu përgjigj: “Më pëlqen të kem gjëra mbi njerëzit.”
“Atij i pëlqente frika në sytë tanë,” tha ajo. “Mendoj se i pëlqente që ne ishim të ngrira dhe të frikësuara dhe nuk dinim çfarë të bënim, dhe mendoj se kjo e kënaqte.”
Viktimat u shprehën se nuk e besojnë që Epsteini të jetë vetëvrarë. “Ne e njihnim, e dinim çfarë lloj personi ishte,” tha Phillips.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut më 10 gusht 2019, ndërsa mbahej në Metropolitan Correctional Center në Nju Jork, nën akuza për trafikim seksual dhe komplot, në pritje të gjyqit.
Jena-Lisa Jones dhe Wendy Pesante u njohën me Epstein kur ishin ende 14 vjeçe. Ato ishin shoqe që atëherë dhe vite pasi i mbijetuan abuzimit të tij, janë ende.
“Kur kalon diçka të tillë në moshë aq të re, ta shtrembëron realitetin për një kohë të gjatë. Në moshën 14-vjeçare s’duhet të kesh mendësinë e një punonjëseje seksi”, tha Pesante.
Në një moment të intervistës, të pesta panë foto tyret në moshën kur u takuan me Epstein. “Nuk buzëqesh më njësoj”, tha Harrison, duke parë veten e saj 18 vjeçe.
Phillips ishte e veshur me rozë, në një varkë dhe kuptoi se pas ndodhej ishulli i Epsteinit.
“Po shijoja jetën dhe s’ia kisha idenë ç’do të më ndodhte. Nuk dukesha kështu kur u largova nga ishulli”, rrëfeu ajo./shqiptarja.com