Irani mobilizon 1 milionë ushtarë për sulmin e mundshëm tokësor të SHBA
Irani thotë se më shumë se një milion trupa dhe luftëtarë janë mobilizuar për t’iu kundërvënë një pushtimi të mundshëm tokësor nga SHBA, duke pretenduar se masa të mëdha njerëzish janë paraqitur vullnetarisht për të marrë pjesë në mbrojtjen e vendit.
Autoritetet iraniane deklaruan se mundësia e nisjes së një ofensivë tokësore nga SHBA ka nxitur “një valë entuziazmi” në popullatë për të krijuar atë që ata e quajnë një “ferr historik për forcat amerikane”.
Në një raport të agjencisë së lajmeve Tasnim të enjten, një “burim ushtarak i mirëinformuar” tha se më shumë se një milion persona janë organizuar për të marrë pjesë në luftime, përveç një “fluksi të madh” kërkesash gjatë ditëve të fundit nga të rinjtë iranianë për t’iu bashkuar Gardës Revolucionare.
Në një raport të veçantë të agjencisë iraniane ISNA, komandanti i forcave tokësore të Iranit, gjeneral brigade Ali Jahanshahi, paralajmëroi se “lufta tokësore do të jetë më e rrezikshme dhe më e kushtueshme për armikun”, duke shtuar se “të gjitha lëvizjet e armikut në kufi monitorohen dhe ne jemi gati për çdo skenar”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vazhdimisht Iranin që të rihapë Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar se do të godasë infrastrukturën energjetike të vendit dhe do të ndërmarrë një operacion tokësor nëse trafiku detar në këtë korridor kyç nuk rifillon plotësisht.
“SHBA dëshiron ta hapë Ngushticën e Hormuzit me taktika vetëvrasëse dhe vetëshkatërruese; në rregull”, i tha burimi ushtarak Tasnim-it në përgjigje. “Ne jemi gati që strategjia e tyre vetëvrasëse të zbatohet dhe që Ngushtica të mbetet e mbyllur”.
Të hënën, Trump deklaroi se po zhvillohen bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke thënë se do t’i japë Iranit edhe pesë ditë shtesë për të rihapur Ngushticën përpara se të marrë një vendim për hapat e mëtejshëm.
Megjithatë, dislokimi ushtarak amerikan në rajon ka vijuar, me raportime që sugjerojnë se SHBA po përgatitet të dërgojë rreth 1,000 trupa në Lindjen e Mesme në ditët në vijim.
Aktualisht, SHBA ka rreth 50,000 trupa në rajon.
Analistët kanë përmendur ishullin Kharg të Iranit, qendra kryesore e industrisë së naftës së vendit, si një vend i mundshëm për një pushtim hipotetik tokësor nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet iraniane kanë mohuar deklaratat e Trump se po zhvillohen bisedime mes dy vendeve, duke akuzuar administratën amerikane se po e paraqet idenë e negociatave “për të fituar kohë për përgatitjen e një veprimi të ri në jug të Iranit përmes një pushtimi tokësor”, raportoi Tasnim.