Lidhje


Trump: Ma ofruan të bëhesha ajatollahu i Iranit, po nuk pranova - vijojnë negociatat e fshehta me Teheranin

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se askush në Iran nuk dëshiron të marrë postin e liderit suprem. Duke folur në një aktivitet fondmbledhës të republikanëve në Uashington, Trump theksoi gjithashtu se Irani kërkon t’i japë fund luftës që ka zgjatur gati një muaj, duke këmbëngulur se zyrtarët në Teheran po negociojnë me SHBA-në, por kanë frikë ta pranojnë publikisht për shkak të rrezikut të rebelimit të brendshëm.

 

Trump pretendoi se pjesa më e madhe e lidershipit iranian ka frikë të marrë drejtimin e vendit, pasi mund të bëhet objektiv i sulmeve amerikano-izraelite. Edhe pse lideri suprem veteran dhe figura të tjera të larta, përfshirë komandantë të Gardës Revolucionare, janë vrarë në sulme, sistemi qeverisës iranian ka ruajtur aftësinë për të funksionuar dhe për të drejtuar luftën që nisi më 28 shkurt.

 

Gjatë darkës vjetore të National Republican Congressional Committee, Trump u shpreh:
“Askush nuk e ka dashur më pak këtë detyrë sesa të jesh në krye të Iranit. Ne i dëgjojmë qartë. Ata thonë: ‘Nuk e dua. Duam t’ju bëjmë ju liderin e ardhshëm suprem.’ Jo, faleminderit. Nuk e dua.”

 

Ndërkohë, sipas raportimeve, Irani ka ngritur në krye Mojtaba Khamenei pas vrasjes së të atit, ish-ajatollahut Ali Khamenei.

 

Trump këmbënguli se Teherani po negocion me Uashingtonin për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht mohimeve publike nga pala iraniane.
“Ata po negociojnë dhe duan shumë të bëjnë marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se mund të vriten nga njerëzit e tyre. Kanë frikë edhe nga ne,” u shpreh ai, duke iu referuar një serie atentatesh të profilit të lartë që kanë krijuar një vakum pushteti në Iran.

 

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se bisedimet për paqe janë në zhvillim, edhe pse Teherani i ka refuzuar publikisht ofertat amerikane dhe ka paraqitur kushte të reja për përfundimin e konfliktit. Sipas medias shtetërore Press TV, këto kushte përfshijnë garanci që SHBA dhe Izraeli nuk do të rifillojnë sulmet, dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe njohjen e autoritetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

 

Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme nga SHBA dhe Izraeli, Irani nuk ka dhënë shenja tërheqjeje dhe vijon të kundërpërgjigjet në konfliktin që ka tronditur Lindjen e Mesme dhe tregjet globale.

XS
SM
MD
LG