Lidhje


Skandal në bashkitë e opozitës në Turqi - 13 të ndaluar për korrupsion në Marmaris!

 



Vazhdojnë skandalet në bashkitë e udhëhequra nga partia opozitare CHP - Partia Republikane Popullore.

 

Një operacion i gjerë anti-korrupsion është zhvilluar në Bashkinë e Marmaris, ku 13 persona janë ndaluar në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria Publike.

 

Sipas informacioneve zyrtare, disa punonjës të bashkisë dyshohet se kanë përfituar financiarisht përmes parregullsive në proceset e lejeve të ndërtimit dhe licencimit të hoteleve, restoranteve dhe bizneseve të tjera. Hetimet sugjerojnë se një pjesë e menaxherëve të përfshirë kanë realizuar përfitime të paligjshme përmes ndërmjetësimit të personelit të zgjedhur prej tyre.

 

Gjatë operacionit, një punonjës i Drejtorisë së Planifikimit Urban u kap në flagrancë nga policia, teksa merrte një ryshfet prej 4,000 dollarësh në orët e vona të natës. Autoritetet kryen bastisje të njëkohshme në banesat, vendet e punës dhe zyrat e të dyshuarve.

 

Nga kontrollet e ushtruara u sekuestrua një sasi e konsiderueshme parash në dollarë dhe euro, si dhe byzylykë ari, të cilat ishin fshehur në papafingo dhe në ndarje sekrete, përfshirë edhe brenda sediljeve.

 

Pamje të publikuara nga operacioni tregojnë momentin e kapjes në flagrancë të njërit prej të dyshuarve, i identifikuar me inicialet T.D., i cili mbante para në zarfe dhe kishte fshehur shuma të tjera gjatë kontrollit.

 

Në mesin e personave të ndaluar ndodhen nënkryetari i bashkisë Ö.H., drejtori i Planifikimit Urban İ.P., inxhinierët V.Ç., T.D. dhe C.C., shefi në detyrë i Policisë Bashkiake M.K., tregtari T.K., kryeplaku i fshatit F.T., kontraktori M.G., kontabilisti F.K., i vetëpunësuari M.Ş., si dhe punonjësit e bashkisë N.C. dhe H.P.

 

Kryetari i Bashkisë së Marmarisit, Acar Ünlü, reagoi pas operacionit duke deklaruar se institucionet vendore do të vijojnë funksionimin normal. “Bashkia jonë do të vazhdojë punën e saj. Shpresojmë që hetimi të përfundojë sa më shpejt. Do të ndajmë çdo informacion të ri sapo të jetë i disponueshëm”, u shpreh ai.

 

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë.

XS
SM
MD
LG