Prokuroria Speciale interviston Shkëlzen Gashin për ekspozitën e masakrave në Prishtinë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetime lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” dhe ka intervistuar Shkëlzen Gashi nën dyshimin për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë në fazë të rregullt procedurale, ndërsa në banesën e tij është kryer kontroll për sigurimin e provave nga njësitë e krimeve të rënda.
Ndërkohë, aktivisti Rron Gjinovci bëri të ditur se policia, me urdhër të Prokurorisë, ka shoqëruar Gashin për intervistim, duke sqaruar se ai nuk është arrestuar. Rasti po hetohet nga prokurori Bekim Kodraliu.
Ngjarja lidhet me polemikat që pasuan vendosjen e ekspozitës në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë më 24 mars 2026, e cila u largua nga Komuna e Prishtinës katër ditë më vonë, pas reagimeve publike për përmbajtjen e saj.
Dy organizatat që qëndrojnë pas ekspozitës, ADMOVERE dhe INTEGRA, kërkuan falje publike për shqetësimin e krijuar, duke theksuar se qëllimi i tyre ka qenë nderimi i viktimave civile dhe ruajtja e kujtesës kolektive për krimet e luftës në Kosovë.