Lidhje


Lufta si biznes? Dyshime të forta - Njerëz pranë Hegseth tentuan miliona në industrinë e armëve para sulmit ndaj Iranit

 

Një raport ekskluziv i Financial Times ka ngritur dyshime serioze për një rast të mundshëm konflikti interesi në nivelet më të larta të sigurisë amerikane. Sipas këtij raporti, një ndërmjetës i lidhur me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka tentuar të realizojë një investim të madh në kompani të industrisë së mbrojtjes vetëm disa javë para sulmit të përbashkët SHBA–Izrael ndaj Iranit.

 

Sipas burimeve të cituara, ndërmjetësi – i lidhur me Morgan Stanley – ka kontaktuar në shkurt gjigantin financiar BlackRock për një investim shumë milionë dollarësh në një fond të fokusuar në industrinë e mbrojtjes, i cili përfshin kompani si Lockheed Martin dhe Northrop Grumman. Megjithatë, transaksioni nuk u realizua, pasi fondi nuk ishte ende i aksesueshëm për klientët në atë moment.

 

Koha e këtij veprimi ka ngritur pikëpyetje të forta në qarqet financiare dhe politike, pasi përkon me periudhën menjëherë para një operacioni të madh ushtarak, duke nxitur dyshime për përdorim të informacionit jo publik apo përfitime të mundshme nga lufta. Analistët theksojnë se zakonisht aksionet e kompanive të mbrojtjes përfitojnë nga përshkallëzimet ushtarake, çka e bën këtë rast edhe më sensitiv.

 

Megjithatë, reagimi zyrtar nga Pentagoni ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. Zëdhënës të Departamentit të Mbrojtjes e kanë cilësuar raportin si “tërësisht të rremë dhe të fabrikuar”, duke mohuar që Hegseth apo përfaqësues të tij të kenë kërkuar investime të tilla dhe duke kërkuar tërheqjen e lajmit.

 

Ngjarja vjen në një moment kur tregjet financiare janë tashmë nën presion për shkak të luftës me Iranin, ndërsa raste të tjera të dyshimta – si lëvizje të mëdha në tregun e naftës pak para njoftimeve politike – kanë shtuar shqetësimet për rrjedhje informacioni dhe manipulim të mundshëm të tregjeve.

 

Në këtë fazë, nuk ka prova që investimi është realizuar apo që vetë Hegseth ka qenë në dijeni direkte, por rasti po shihet si një test i rëndësishëm për transparencën dhe etikën në lidhjen mes politikës, luftës dhe tregjeve financiare globale.

XS
SM
MD
LG