“Do t’i rrafshojmë të gjitha” - Izraeli paralajmëron shkatërrim total në Libanin jugor dhe ndalim kthimi për 600 mijë banorë
Izraeli ka paralajmëruar një përshkallëzim të fortë të operacioneve në Libanin jugor, duke shpallur planin për shkatërrimin e të gjitha shtëpive në fshatrat pranë kufirit dhe ndalimin e kthimit për rreth 600,000 persona të zhvendosur, derisa veriu i vendit të konsiderohet i sigurt. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se do të zbatohet një model i ngjashëm me atë të përdorur në Gaza, duke përfshirë zona si Rafah dhe Beit Hanoun.
Sipas planit, Izraeli synon krijimin e një zone tampon në jug të Libanit, duke mbajtur kontroll mbi territorin deri te Lumi Litani, që ndodhet rreth 30 km në veri të kufirit me Izraelin dhe përbën pothuajse një të dhjetën e territorit të Libanit. Ushtria izraelite (IDF) ka urdhëruar më herët evakuimin e zonave të gjera në jug, përfshirë periferitë jugore të Bejruti dhe rajonet lindore ku Hezbollah ka mbështetje.
Konflikti ka shkaktuar pasoja të rënda humanitare: mbi 1.2 milion njerëz janë zhvendosur dhe rreth 1,200 persona janë vrarë që nga nisja e ofensivës izraelite më 2 mars. Ministria e Shëndetësisë e Libanit raporton 1,247 viktima, përfshirë 124 fëmijë dhe 52 punonjës mjekësorë. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, mbi 400 luftëtarë të Hezbollah janë vrarë, ndërsa Izraeli konfirmon 10 ushtarë të tij të vrarë në përleshje.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, deklaroi se Hezbollah ka lëshuar rreth 5,000 dronë, raketa dhe predha kundër Izraelit gjatë konfliktit. Forcat izraelite synojnë të eliminojnë njësitë elitë Radwan të Hezbollah dhe të shkatërrojnë të gjitha armët në zonë, ndërsa paralajmërojnë se banorët nuk do të lejohen të rikthehen në jug të Litani-t derisa siguria të garantohet plotësisht.
Kjo përbën luftën e dytë të madhe mes Izraelit dhe Hezbollah që nga viti 2024. Në konfliktin e mëparshëm, Izraeli kishte vrarë liderin e grupit, Hassan Nasrallah, si dhe mijëra luftëtarë të tjerë. Hezbollah, i themeluar në vitin 1982 nga Garda Revolucionare Islamike, vazhdon të mbetet një aktor kyç në përplasjen rajonale.