Edhe Trump ndërron pllakën "Nuk kishim qëllim ndryshimin e regjimit në Iran!" – Paralajmëron tërheqjen e SHBA nga lufta
Donald Trump e filloi fjalimin e tij duke lavdëruar NASA-n për nisjen e misionit Artemis II , përpara se të kalonte në një vlerësim të gjerë të luftës me Iranin.
Duke iu drejtuar popullit amerikan nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan pretendoi se forcat amerikane dhe izraelite i kanë dhënë Teheranit goditje “të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese”, duke folur për “fitore që pak veta i kanë parë ndonjëherë”.
Ai tha, “Marina e Iranit është zhdukur, forca e saj ajrore është në rrënoja”, duke shtuar se lidershipi i vendit është neutralizuar kryesisht dhe se struktura komanduese e Gardës Revolucionare “po shkatërrohet tani”.
Trump pohoi gjithashtu se SHBA-të po punonin për të shkatërruar aftësitë e Iranit me dronë dhe raketa, ndërsa përsëriti se që nga viti 2015 ai ishte zotuar të mos e lejonte kurrë Teheranin të pajisej me armë bërthamore.
Duke iu referuar sulmeve të qershorit, ai vuri në dukje se fillimisht kërkoi një zgjidhje diplomatike, megjithatë – siç tha ai – udhëheqja iraniane i hodhi poshtë iniciativat e tij, duke çuar në fund në sulmet ndaj objekteve bërthamore në qershor, në mes të luftës me Izraelin.
Sipas Donald Trump , Irani ishte “një hap larg” nga blerja e një bombe bërthamore, ndërsa objektet e goditura nga bombarduesit B-2 janë dëmtuar në një masë të tillë sa “do të duhen muaj për t’i restauruar ato”.
Presidenti amerikan vlerësoi se objektivat kryesore strategjike të operacioneve janë “pranë përfundimit”, ndërsa la të hapur mundësinë e sulmeve të reja të rënda.
“Nëse shohim lëvizjen më të vogël në drejtim të armëve bërthamore, do t’i godasim përsëri shumë fort”, paralajmëroi ai, duke shtuar se SHBA-të do të vazhdojnë të veprojnë “shumë agresivisht” gjatë “dy deri në tre javëve” të ardhshme, ndërsa kontaktet do të vazhdojnë paralelisht.
Në të njëjtën kohë, ai u përpoq të shkëputte operacionet nga qëllimi i ndryshimit të regjimit, duke theksuar se “ndryshimi i regjimit nuk ishte kurrë një qëllim”, megjithëse – siç tha ai – “në praktikë kjo ka ndodhur tashmë”, pasi “shumica e udhëheqësve të tyre janë vrarë”.
Në të njëjtën kohë, ai përsëriti se SHBA-të nuk kanë varësi energjetike nga Lindja e Mesme, duke theksuar se prania e saj në rajon nuk është e lidhur me naftën.
“Nuk kemi nevojë për naftën e tyre. Nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata”, tha ai, duke theksuar se përfshirja e SHBA-së është në mbështetje të aleatëve të saj.
Në të njëjtin kontekst, ai argumentoi se përgjegjësia për sigurimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duhet t’u përkasë vendeve që varen nga ana energjetike nga rajoni dhe jo Shteteve të Bashkuara.
“Nuk ka asnjë arsye që ne ta bëjmë këtë”, tha ai, duke u bërë thirrje aleatëve të marrin iniciativën për të mbrojtur kalimin kritik detar.
Në mbyllje, Trump pohoi se “SHBA-të i kanë të gjitha kartat” dhe se Irani “nuk ka asnjë”, ndërsa e përshkroi Republikën Islamike si “një ish-ngacmues të Lindjes së Mesme”, duke theksuar se “nuk është më kështu”.