Debat i ashpër për Dosjet "Epstein" - Pse e shkarkoi Donald Trump prokuroren e përgjithshme Pam Bondi?
Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, në një vendim që erdhi pas një takimi në Zyrën Ovale, ku ajo u informua personalisht për largimin nga detyra. Sipas raportimeve të CBS, Bondi pritet të marrë një pozicion tjetër brenda administratës amerikane. Në vend të saj, Trump ka caktuar zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Todd Blanche si Prokuror të Përgjithshëm në detyrë.
Shkarkimi vjen në një moment tensioni të brendshëm, pasi burime për CNN kanë bërë të ditur se Trump ishte i frustruar me Bondin në disa drejtime. Një nga arsyet kryesore lidhej me mënyrën se si ajo po trajtonte dosjet e Jeffrey Epstein, si dhe me faktin që, sipas presidentit, ajo nuk kishte hetuar apo ndjekur penalisht në mënyrë të mjaftueshme kundërshtarët e tij politikë. Në fokus ishte edhe një hetim ndaj ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, për deklarata të mundshme të rreme në Kongres lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Prokurorët e karrierës në Miami e konsideronin çështjen të dobët, megjithatë hetimet vijonin në gjykatën federale të Uashingtonit. Vetë Bondi kishte thirrur kryeprokuroren në Miami në Uashington për të diskutuar progresin e hetimit dhe shqetësimin se ai po ecte ngadalë, në një përpjekje për të treguar se po ndiqte prioritetet e presidentit.
Interesant është fakti se vetëm pak orë para shkarkimit, Trump kishte dhënë një deklaratë publike ku e vlerësonte Bondin, duke thënë: “Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi është një person i mrekullueshëm dhe po bën një punë të mirë.” Megjithatë, menjëherë pas vendimit për largimin e saj, ai reagoi sërish në rrjetin social X, duke e cilësuar atë “një Patriote të Madhe Amerikane dhe një mike besnike”, e cila “bëri një punë të jashtëzakonshme duke mbikëqyrur një goditje masive të krimit në të gjithë vendin tonë, me vrasjet që ranë në nivelin më të ulët që nga viti 1900”.
Trump theksoi se Bondi do të kalojë në një rol të ri të rëndësishëm, që do të shpallet së shpejti, ndërsa konfirmoi se Todd Blanche do të marrë përkohësisht drejtimin e Departamentit të Drejtësisë. “Ne e duam Pam… ajo do të kalojë në një punë të re shumë të nevojshme dhe të rëndësishme”, shkroi Trump, duke e mbyllur reagimin e tij me një mesazh falënderimi dhe firmën: “Presidenti DONALD J. TRUMP”.