Lidhje


Papa trondit botën: ‘Dorëzoni armët ose njerëzimi do të varroset nga lufta!’

 

 

Papa Leone XIV, gjatë meshës së Pashkëve në Vatikan, mbajti një fjalim të fortë dhe me tone alarmuese mbi gjendjen aktuale të botës, të cilën e përshkroi si të “mbytur nga luftërat, padrejtësitë dhe indiferenca”. Ai përdori simbolikën e ringjalljes së Krishtit për të dhënë një mesazh të fuqishëm: ashtu si guri u rrokullis nga varri për të lejuar dritën dhe shpresën të hynin në botë, edhe sot njerëzimi duhet të heqë “gurët” që po e mbajnë të bllokuar – luftërat, egoizmin dhe mungesën e ndjeshmërisë ndaj vuajtjes së të tjerëve.

 

Papa theksoi se konfliktet e vazhdueshme në botë po shkatërrojnë jo vetëm jetët e njerëzve, por edhe të ardhmen e kombeve, ndërsa egoizmi dhe mbyllja e kufijve po i bëjnë shoqëritë më të ftohta dhe më pak solidare. Ai paralajmëroi për një fenomen që e quajti “globalizimi i indiferencës”, ku njerëzit po mësohen me dhunën dhe po bëhen gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj vdekjes së mijëra personave dhe pasojave shkatërruese ekonomike e sociale të luftërave.

 

Në një thirrje të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok, Papa u kërkoi atyre që kanë pushtet dhe armë në dorë të zgjedhin paqen dhe të ndalojnë konfliktet. Ai theksoi se nuk duhet lejuar që e keqja të paralizojë ndërgjegjen njerëzore, duke nënvizuar se heshtja dhe indiferenca janë po aq të rrezikshme sa vetë dhuna.

 

Mesazhi i tij u përcoll në 10 gjuhë të ndryshme, duke reflektuar dimensionin global të thirrjes së tij për paqe dhe solidaritet. Ndërkohë, ai pritet ta thellojë këtë mesazh edhe më tej në fjalimin tradicional “Urbi et Orbi”, ku do t’i drejtohet mbarë botës me një apel për reflektim dhe ndryshim në një moment kritik për njerëzimin.

XS
SM
MD
LG