Dritat fiken, puna shkurtohet në 4 ditë! Nga Filipinet te Evropa nis racionimi i energjisë – bota në alarm
Lufta në Iran po prodhon pasoja të drejtpërdrejta në tregjet globale të energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe karburantit. Situata është përkeqësuar nga rreziku i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një korridor jetik për ekonominë botërore, përmes të cilit kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë. Nëse ky skenar materializohet, paralajmërohet një periudhë e re shtrëngimi ekonomik në shkallë globale.
Vendet më të brishta kanë nisur tashmë masa konkrete kursimi. Në Egjipt, autoritetet kanë reduktuar ndriçimin publik dhe kanë vendosur kufizime për oraret e bareve dhe restoranteve, ndërsa disa projekte publike janë ngadalësuar për të ulur konsumin. Në Afrikë, Zambia ka shpallur emergjencë energjetike, duke paralajmëruar një rritje të fortë të çmimeve të karburantit të aviacionit.
Ndërkohë, në Azi situata duket edhe më e rënduar, për shkak të varësisë së lartë nga nafta e Gjirit Persik. Koreja e Jugut ka kufizuar përdorimin e automjeteve për sektorin publik, ndërsa Filipinet kanë shpallur emergjencë kombëtare dhe kanë reduktuar javën e punës në katër ditë. Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në Bangladesh, ku janë shkurtuar oraret e punës, janë mbyllur më herët qendrat tregtare dhe janë reduktuar ndjeshëm shpenzimet për energji dhe karburant.
Edhe vende si Indonezia dhe Malajzia po kalojnë drejt modeleve të reja pune për të ulur konsumin. Punonjësit publikë po orientohen drejt punës nga shtëpia, ndërsa janë vendosur kufizime të drejtpërdrejta për përdorimin e karburantit dhe udhëtimet zyrtare.
Në Evropë, situata po shihet me shqetësim në rritje. Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jørgensen, ka paralajmëruar se kontinenti duhet të përgatitet për një krizë afatgjatë, potencialisht më të rëndë se ajo e vitit 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Edhe pse aktualisht nuk ka mungesë furnizimi, Brukseli po harton skenarë emergjentë, përfshirë përdorimin e rezervave strategjike dhe mundësinë e racionimit.
Në këtë kuadër, shtetet anëtare po nxiten të zbatojnë masa kursimi si puna nga shtëpia, ulja e shpejtësisë në rrugë dhe përdorimi më i madh i transportit të përbashkët. Disa vende kanë nisur tashmë të veprojnë: Sllovenia, për shembull, ka vendosur kufizime për furnizimin me karburant për individët dhe bizneset.
Kriza energjetike, megjithëse ende nuk ka arritur kulmin, po përhapet me shpejtësi dhe po detyron qeveritë në të gjithë botën të ndërmarrin masa të forta për të përballuar një situatë që rrezikon të ketë pasoja të thella ekonomike dhe sociale.