Trondit JD Vance - Nuk përjashtohet përdorimi i bombës bërthamore mbi Iran?
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka konfirmuar se SHBA ka kryer sulme në ishullin Kharg të Iranit, duke theksuar se ato nuk kanë shënjestruar objektet e naftës dhe se nuk përfaqësojnë një ndryshim në strategjinë amerikane.
“Ne do të godisnim disa objektiva ushtarake në ishullin Kharg dhe besoj se e kemi bërë këtë,” tha Vance.
“Nuk do të godasim objektiva energjetike dhe infrastrukturore derisa iranianët ose të bëjnë një propozim që ne mund ta mbështesim, ose të mos bëjnë fare një propozim,” shtoi ai.
“Nuk mendoj se ajo që ndodhi në ishullin Kharg përfaqëson një ndryshim strategjie apo ndonjë devijim nga qëndrimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara.”
Por gjithashtu JD Vance ka përforcuar qëndrimin e Presidentit Donald Trump pas një postimi të fundit të këtij të fundit, në të cilin paralajmërohej se “një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte”.
Vance la të kuptohet se Trump mund të marrë në konsideratë edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm, gjatë vizitës së Vance në Hungari.