Armëpushimi dy-javor me Iranin - Cilat janë 15 pikat e SHBA-ve në negociata?
Pas një përshkallëzimi të rrezikshëm që e çoi rajonin në prag të një përplasjeje të gjerë ushtarake, mbrëmjen e 7 prillit 2026 presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi arritjen e një armëpushimi 2-javor me Iranin, i ndërmjetësuar nga Pakistan. Sipas raportimeve të Reuters dhe The Guardian, marrëveshja erdhi pas një faze intensive presioni diplomatik dhe kërcënimesh për një ofensivë të re amerikane.
Armëpushimi parashikon një ndalesë të përkohshme të operacioneve ushtarake për 14 ditë, duke hapur një dritare negociatash për një marrëveshje më të gjerë. Një nga elementët kyç që u arrit paralelisht është angazhimi për sigurimin e kalimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, arteria kryesore e energjisë globale, që ishte kthyer në pikën më kritike të krizës. Menjëherë pas njoftimit, tregjet reaguan me ulje të çmimeve të naftës, duke reflektuar lehtësimin e përkohshëm të tensioneve.
Në të njëjtën kohë, burime diplomatike të cituara nga mediat ndërkombëtare konfirmojnë se Irani ka paraqitur një plan me 10 pika, ndërsa pala amerikane po hyn në negociata me një kornizë të zgjeruar kërkesash, që në media po referohet si “15 pikat e SHBA-së”. Kjo paketë përmbledh temat kryesore mbi të cilat pritet të zhvillohet beteja diplomatike në ditët në vijim.
Takimi i radhës pritet të zhvillohet në Islamabad, ku delegacionet do të tentojnë të kthejnë armëpushimin në një marrëveshje më të qëndrueshme. Sipas raportimeve, negociatat do të fokusohen në katër shtylla kryesore: siguria rajonale, kontrolli i Hormuzit, programi bërthamor iranian dhe arkitektura e heqjes së sanksioneve.
Pika më e ndjeshme mbetet Ngushtica e Hormuzit, ku SHBA kërkon garantimin e kalimit të lirë dhe të pakushtëzuar të naftës, ndërsa Irani synon të ruajë ndikimin e tij strategjik. Po ashtu, një tjetër nyje e fortë është programi bërthamor, ku Uashingtoni kërkon kufizime të forta dhe inspektime ndërkombëtare, ndërsa Teherani kërkon njohjen e të drejtave të tij.
Në planin ushtarak, SHBA kërkon ndërprerjen e plotë të sulmeve nga grupet aleate të Iranit në rajon, ndërsa Irani kërkon garanci sigurie dhe lehtësim të sanksioneve ekonomike. Këto diferenca e bëjnë të paqartë nëse armëpushimi i 7 prillit do të jetë një hap drejt paqes apo thjesht një pauzë taktike.
15 pikat e SHBA-së që pritet të negociohen
- Armëpushim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm
- Ndalimi i sulmeve ndaj forcave amerikane
- Ndalimi i sulmeve ndaj Izraelit
- Ndërprerja e veprimeve të grupeve proxy (Hezbollah, milicitë, Houthis)
- Mekanizëm ndërkombëtar monitorimi
- Tërheqje graduale e ndikimit ushtarak iranian nga Irak dhe Siri
- Ndalimi i furnizimit me armë për grupet militante
- Reduktim i pranisë së Gardës Revolucionare jashtë Iranit
- Angazhim për ulje të tensioneve në rajon
- Hapje e plotë e Ngushticës së Hormuzit
- Siguri e garantuar për transportin ndërkombëtar të energjisë
- Ndalim i çdo pengese iraniane mbi trafikun detar
- Mos-përdorimi i energjisë si mjet presioni politik
- Kufizim i fortë i programit bërthamor
- Inspektime ndërkombëtare dhe garanci për moszhvillim armësh bërthamore