Lidhje


Tensione në gadishullin korean – Koreja e Veriut lëshon disa raketa balistike, alarm në rajon

 

Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të Detit të Japonisë, duke rritur tensionet në rajon vetëm pak ditë pas incidenteve të fundit me Korenë e Jugut.

 

Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketat u lëshuan nga zona e Wonsanit në dy valë gjatë mëngjesit, ndërsa një tjetër predhë ishte lëshuar një ditë më parë nga afër Phenianit. Edhe Roja Bregdetare japoneze konfirmoi se objektet e lëshuara dyshohet të jenë raketa balistike dhe u bëri thirrje anijeve të qëndrojnë vigjilente.

 

Pas zhvillimeve, Seuli zhvilloi një mbledhje urgjente të sigurisë, duke i cilësuar testimet si “veprime provokuese” që shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Autoritetet kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të lëshimeve dhe rritën nivelin e gatishmërisë.

 

Këto teste vijnë në një moment të ndjeshëm, pas kërkim-faljes së Koresë së Jugut për incidentin me dronët civilë që kishte tensionuar marrëdhëniet me Phenianin. Analistët e shohin këtë si një sinjal se Koreja e Veriut nuk po i përgjigjet pozitivisht përpjekjeve për ulje tensionesh, pavarësisht reagimeve më të moderuara nga zyrtarë të saj.

XS
SM
MD
LG