Armëpushim mes Izraelit dhe Libanit në SHBA? - Netanyahu lajmëron negociatat me Bejrutin
Kryeministri i Izraeli, Benjamin Netanyahu, njoftoi se qeveria e tij do të nisë “sa më shpejt të jetë e mundur” negociata direkte me Libanin për armëpushim dhe çarmatosjen e Hezbollah, në një moment kur përplasjet në terren mbeten aktive dhe tensionet rajonale janë në kulm.
Sipas deklaratës së Netanyahut, negociatat do të fokusohen në dy objektiva kryesore: çarmatosjen e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore mes Izraelit dhe Libanit.
Bisedimet, që pritet të nisin javën e ardhshme, do të zhvillohen përmes ambasadorëve përkatës në SHBA – Yechiel Leiter për Izraelin dhe Nada Hamadeh Moawad për Libanin – me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Liban, Michel Issa.
Megjithatë, burime izraelite theksojnë se aktualisht nuk ka armëpushim në fuqi dhe se forcat izraelite do të mbeten në territorin libanez për të reaguar ndaj çdo kërcënimi nga Hezbollah. Nga ana tjetër, zyrtarë libanezë kanë sinjalizuar se negociatat do të zhvillohen në “korsi të ndara, por me të njëjtin model” si bisedimet SHBA-Iran që pritet të mbahen në Islamabad, edhe pse ende nuk ka një datë apo vend të përcaktuar.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Netanyahut të reduktojë sulmet në Liban, për të mos rrezikuar suksesin e negociatave me Iranin. Paralelisht, reagimet nga Irani kanë qenë të ashpra.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian i cilësoi sulmet izraelite si “shkelje flagrante të armëpushimit fillestar”, duke paralajmëruar se vazhdimi i tyre do t’i bëjë negociatat të pakuptimta dhe se Teherani është i gatshëm për kundërpërgjigje. Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve izraelite, duke theksuar se Libani dhe “boshti i rezistencës” janë pjesë e pandashme e armëpushimit.
Këto zhvillime tregojnë se, ndërsa diplomacia po përpiqet të hapë një kanal të ri negociatash, realiteti në terren mbetet i ndezur dhe çdo hap i gabuar mund të çojë në një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme.