Irani nuk rihap dot plotësisht Hormuzin: Minat detare pengojnë trafikun dhe rrisin tensionet
Irani nuk ka arritur ta rihapë plotësisht Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi nuk mund të lokalizojë të gjitha minat detare që ka vendosur dhe nuk ka kapacitetin për t’i hequr ato, sipas një raporti të publikuar nga The New York Times.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, raporti thotë se kjo situatë ka kufizuar aftësinë e Iranit për të lejuar më shumë trafik detar në këtë rrugë ujore, pavarësisht thirrjeve nga administrata amerikane për të garantuar kalim të sigurt.
Irani vendosi minat muajin e kaluar me anije të vogla, pas shpërthimit të luftës që përfshiu SHBA-në dhe Izraelin, duke ulur ndjeshëm trafikun e cisternave dhe duke kontribuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Ndërkohë që Teherani ka mbajtur të hapur një korridor të ngushtë për anijet që janë të gatshme të paguajnë një tarifë, zyrtarët amerikanë thonë se rrugët e sigurta mbeten të kufizuara, pjesërisht sepse disa mina mund të jenë zhvendosur ose nuk janë regjistruar saktë gjatë vendosjes.
Raporti thekson se heqja e minave detare është shumë më e vështirë sesa vendosja e tyre dhe se si Irani, ashtu edhe SHBA-ja nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për pastrim të shpejtë.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se ngushtica do të mbetet e hapur “duke marrë parasysh kufizimet teknike”, një koment që zyrtarët amerikanë e interpretojnë si referencë ndaj vështirësive për të gjetur dhe pastruar minat.
Çështja pritet të jetë pjesë e bisedimeve në vazhdim në Pakistan mes zyrtarëve iranianë dhe një delegacioni amerikan të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa Uashingtoni ka kërkuar rihapjen “të plotë, të menjëhershme dhe të sigurt” të ngushticës.