Tronditje në Hungari: Opozita merr 2/3 e parlamentit dhe 'premton çmontimin' e Orbanit
Me gati 90% të votave të numëruara, sipas Qendrës Hungareze të Informacionit Zgjedhor, partia Tisza e Peter Magyar pritet të sigurojë një supermazhorancë në parlamentin e Hungarisë.
Tisza ka shumë gjasa të kontrollojë më shumë se dy të tretat e 199 vendeve në parlament, çka i jep fuqinë për të ndryshuar Kushtetutën e vendit.
Shumë në Hungari dhe në Evropë shpresojnë që qeveria e re të përmbysë disa nga ndryshimet e bëra nga Viktor Orbán.
Orbán e përdori supermazhorancën e tij për të konsoliduar pushtetin, për të dobësuar pavarësinë e gjykatave, për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe për të kufizuar të drejtat e disa pakicave.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka pranuar humbjen në zgjedhje, duke deklaruar para mbështetësve të tij se “rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm”.
Lideri i opozitës, Péter Magyar, konfirmoi se kishte marrë një telefonatë nga Orbán, në të cilën ky i fundit e kishte uruar për fitoren. Në një postim në Facebook, Magyar shkroi: “Viktor Orbán sapo më telefonoi dhe na përgëzoi për fitoren tonë.”
Kjo do të shënonte fundin e 16 viteve në pushtet të Orbán.
Sipas rezultateve paraprake, kryeministri hungarez pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e së dielës, një zhvillim që pritet të prodhojë tronditje politike nga Uashingtoni në Moskë.
Peter Magyar do të sigurojë një super-shumicë që i jep mundësinë të çmontojë elementët kryesorë të modelit të “demokracisë joliberale” të ndërtuar nga Orbán, përfshirë kontrollin mbi drejtësinë, kompanitë shtetërore dhe median.
Largimi i Orbán konsiderohet një lehtësim i madh për Bashkimin Europian, të cilit ai i ka ekspozuar dobësitë dhe i ka sfiduar vazhdimisht mekanizmat, veçanërisht duke ndihmuar Rusinë të bllokojë një paketë prej 90 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën.
Humbja e tij përbën gjithashtu një goditje për lëvizjen MAGA të Donald Trump, e cila e shihte Orbán si një model për nacionalizmin konservator, anti-emigracion dhe me bazë kristiane.
Zyrtarët në Bruksel e kanë akuzuar prej kohësh Orbán për minimin e shtyllave të demokracisë në Hungari, nga sistemi i drejtësisë te media, si dhe për bashkëpunimin me Vladimir Putin për të penguar vendimmarrje të rëndësishme në BE. Megjithatë, Bashkimi Europian nuk arriti ta kufizonte ndikimin e tij për vite me radhë.
Donald Trump kishte dhënë disa mbështetje personale për Orbán gjatë fushatës, të shoqëruara edhe me vizita nga figura të larta si Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zëvendëspresidenti JD Vance, por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar rezultatin e një gare të ndikuar nga pakënaqësia në rritje e qytetarëve për ekonominë e dobët dhe perceptimin për korrupsion dhe klientelizëm gjatë qeverisjes së Orbán.