Lidhje


Loja s’ka mbaruar: Pakistani ndërhyn mes SHBA-Iran – A do të ketë një tjetër takim më 16 prill me palëve?

 

Pas dështimit të përkohshëm të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, dinamika diplomatike mbetet e hapur dhe e tensionuar, me sinjale kontradiktore nga të gjitha palët për atë që pritet të ndodhë në vijim.

 

Pakistani, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit në bisedimet e zhvilluara në Islamabad, u bëri thirrje të dy vendeve që të respektojnë armëpushimin e arritur, duke e cilësuar këtë si “absolutisht të domosdoshme”. Ministri i Jashtëm pakistanez Ishaq Dar theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të ndërmjetësojë për të mbajtur gjallë dialogun mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke falënderuar të dyja palët për njohjen e përpjekjeve të Pakistanit për të ulur tensionet.

 

Megjithëse raundi i fundit i bisedimeve përfundoi pa marrëveshje konkrete, burime të ndryshme sugjerojnë se negociatat nuk janë mbyllur përfundimisht. Sipas raportimeve të The Atlantic, një raund i ri mund të zhvillohet sërish në Pakistan më 16 prill, duke treguar se kanalet diplomatike mbeten aktive. Kjo vjen pasi të shtunën në Islamabad u zhvillua një maratonë negociatash që zgjati rreth 21 orë, por që përfundoi pa rezultat, siç konfirmoi zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.

 

Deklaratat nga të dyja palët lënë hapësirë për vazhdimin e bisedimeve. Nga njëra anë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit nuk e përjashtoi mundësinë e negociatave të reja, duke theksuar se diplomacia “nuk përfundon kurrë”. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale të përziera, duke deklaruar se pret që Irani të rikthehet në tryezë dhe të pranojë kushtet e vendosura nga SHBA.

 

Megjithatë, hendeku mes palëve mbetet i thellë. Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga Vance, e lidhi dështimin e bisedimeve me refuzimin e Iranit për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor. Sipas tij, çdo marrëveshje kërkon një angazhim të qartë nga Teherani që nuk do të ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore.

 

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë mbajtur një qëndrim të fortë, duke theksuar se vendi nuk do të ndalë përpjekjet për të konsoliduar kapacitetet e tij strategjike. Ata kanë kërkuar gjithashtu që SHBA të tregojë vullnet për të fituar besimin e Iranit, duke nënkuptuar se përgjegjësia për avancimin e negociatave nuk është vetëm e njëanshme.

 

Ekspertët e sigurisë ndërkombëtare vlerësojnë se negociatat nuk kanë dështuar përfundimisht, por paralajmërojnë se një marrëveshje kërkon lëshime nga të dyja palët. Sipas tyre, nëse SHBA synon të sigurojë hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen bërthamore, do të duhet të bëjë kompromis në disa pika kyçe.

 

Në këtë fazë, situata mbetet e paqartë: ndërsa zyrtarisht negociatat kanë ngecur, në prapaskenë duket se po zhvillohet një betejë diplomatike për të gjetur një formulë kompromisi. Armëpushimi dyjavor dhe mundësia e një raundi të ri bisedimesh tregojnë se, pavarësisht tensioneve, rruga drejt një marrëveshjeje nuk është mbyllur ende.

XS
SM
MD
LG