Sulmet ajrore izraelite shkatërrojnë kalimin e fundit të mbetur në Libanin jugor
Sulmet ajrore izraelite kanë shkatërruar një urë kyçe që lidh jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit, në sulmet më të fundit që kanë në shënjestër infrastrukturën në vend, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve tha se avionët luftarakë kryen dy sulme të njëpasnjëshme duke goditur urën Qasmiyeh, kalimi i fundit që lidh zonën e qytetit Tyre me qytetin Sidon, duke e shkatërruar plotësisht atë.
Më herët, mediat lokale raportuan se një sulm me dron goditi të njëjtën zonë pranë urës para sulmit të fundit.
Ura Qasmiyeh konsiderohet si një nga kalimet më strategjike në jug të Libanit, duke lidhur sektorët perëndimor, qendror dhe lindor dhe duke shërbyer si një rrugë kyçe për njerëz, automjete dhe mallra. Ajo kishte pësuar dëmtime edhe më parë nga sulmet ajrore izraelite përpara se të shkatërrohej plotësisht.
Izraeli ka vazhduar sulmet në të gjithë Libanin pas një goditjeje ndërkufitare nga Hezbollahu më 2 mars, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntor të vitit 2024.
Autoritetet shëndetësore libaneze thonë se më shumë se 2.160 persona janë vrarë, mbi 7 mijë janë plagosur dhe më shumë se 1 milion janë zhvendosur që nga marsi.