Lidhje


Anti-Trump në sulm: Sánchez mbledh botën kundër MAGA ndërsa i plas skandali në shtëpi

 

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, po përpiqet të ndërtojë një koalicion global kundër politikave të Donald Trump, duke kërkuar njëkohësisht një dalje politike nga vështirësitë që po përballet në vendin e tij.

 

Sánchez mblodhi këtë fundjavë në Barcelonë liderë botërorë në një konventë dyditore të cilësuar si “CPAC progresiv”, duke u pozicionuar si një figurë udhëheqëse e së majtës ndërkombëtare, ndërsa përballet me sfida në rritje në Spanjë.

 

Lideri spanjoll paralajmëroi për një “valë reaksionare” ndërkombëtare që, sipas tij, po nxit gjuhë urrejtjeje, seksizëm, luftë dhe përçarje, pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin.

 

“Nuk ka rëndësi sa shumë bërtasin apo sa gënjeshtra përhapin,” tha Sánchez në një fjalim të së shtunës. “Koha e së djathtës ekstreme reaksionare ka marrë fund.”

 

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i bëri jehonë këtyre deklaratave, duke kritikuar ata “që e quajnë veten patriotë, por shesin sovranitetin dhe kërkojnë sanksione”.

 

Në sallën Fira të Barcelonës u dëgjuan thirrje “Jo luftës”, ndërsa lista e të ftuarve përfshinte figura si presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro dhe presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum. Të tre kanë pasur përplasje me Trump për çështje si tarifat dhe migracioni.

 

Delegacioni europian përfshinte zëvendëskancelarin gjerman Lars Klingbeil, ministrin e Jashtëm britanik David Lammy, lideren e opozitës italiane Elly Schlein dhe politikanin belg Paul Magnette.

 

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, anuloi pjesëmarrjen në moment të fundit për arsye personale, duke shmangur një aktivitet që mund të konsiderohej tepër politik për rolin e tij.

 

Konferenca në Barcelonë u paraqit si një kundërpërgjigje e së majtës ndaj lëvizjes konservatore globale MAGA. Sánchez deklaroi se synimi ishte bashkimi i “forcave progresive” nën një flamur të vetëm.

 

Edhe pse Trump nuk u përmend drejtpërdrejt nga shumica e liderëve, referencat ndaj tij dhe kritikave ndaj politikave të tij ishin të vazhdueshme – nga tarifat tregtare te lufta në Iran.

 

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, e cilësoi Trumpin si “impulsiv dhe pa plan”, duke paralajmëruar për një rrëshqitje drejt autoritarizmit: “Duhet ta quajmë me emër – kjo është fashizëm, ose të paktën një tendencë drejt tij.”

 

Presidenti brazilian Lula kritikoi gjithashtu luftën në Iran dhe përshëndeti vendimin e Spanjës për të mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake nga forcat amerikane për sulme ndaj Iranit. “Dua të përgëzoj mikun tim Pedro Sánchez për guximin për të thënë jo,” shtoi ai.

 

Megjithatë, kjo nismë ndërkombëtare vjen në një moment të vështirë për Sánchez në planin e brendshëm. Ai ka fituar vëmendje globale për qëndrimet e pavarura – nga Gaza te lufta në Iran – por është përballur edhe me kritika nga Shtëpia e Bardhë.

 

Trump ka deklaruar se “nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me Spanjën”, duke e akuzuar Sánchez si një lider të dobët që “nuk paguan pjesën e tij” për mbrojtjen në NATO. Ai madje ka kërcënuar me një bllokadë të plotë tregtare, edhe pse nuk janë shpallur masa konkrete.

 

Situata për kryeministrin spanjoll është komplikuar edhe më tej pasi bashkëshortja e tij, Begoña Gómez, është akuzuar për korrupsion dhe pritet të përballet me gjyqin pas një hetimi dyvjeçar. Çifti i ka mohuar të gjitha akuzat.

 

Burime pranë Sánchez i kanë cilësuar akuzat si të motivuara politikisht dhe shprehen të bindur se Gómez do të shpallet e pafajshme.

XS
SM
MD
LG