Irani sulmon anijet amerikane pas sekuestrimit të një anijeje iraniane në Gjirin e Omanit
Forcat iraniane nisën sulme me dronë të dielën ndaj disa anijeve amerikane në hakmarrje për forcat amerikane që qëlluan dhe kapën një anije iraniane, sipas mediave lokale.
Mediat vendase raportojnë se pasi forcat amerikane hipën në anijen kontejnerësh TOUSKA në Gjirin e Omanit, dronë iranianë u lëshuan kundër anijeve amerikane, pa specifikuar nëse objektivat ishin ushtarakë apo komercialë.
Irani kishte konfirmuar më parë se forcat amerikane kishin sekuestruar anijen iraniane dhe kishte paralajmëruar se do të hakmerrej “së shpejti” pas këtij veprimi, të cilin e quajti shkelje të një armëpushimi dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani, i cili është zbatuar kryesisht që kur u njoftua më 7 prill.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya tha se forcat amerikane kishin shënjestruar anijen, kishin çaktivizuar sistemin e saj të gjurmimit dhe kishin hipur në të pas asaj që e përshkroi si shkelje të armëpushimit.
Të dhënat e gjurimit të anijeve tregojnë se TOUSKA u nis nga Port Klang në Malajzi më 12 prill.
Zëdhënësi ushtarak iranian, Ebrahim Zolfaghari, tha se forcat amerikane hapën zjarr ndaj anijes përpara se të hipnin në të.
Incidenti u njoftua për herë të parë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump të dielën dhe më vonë u konfirmua nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila tha se USS Spruance kapi anijen mallrash me flamur iranian, e cila u përpoq të shkelte një bllokadë detare amerikane në Gjirin e Omanit.
Sipas CENTCOM-it, Marinsat vazhdojnë ta mbajnë anijen nën kujdestarinë e SHBA-së. Në një deklaratë thuhet se ajo ishte e destinuar për në portin iranian të Bandar Abbasit.
CENTCOM publikoi gjithashtu pamje video në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, ku tregohet një anije luftarake amerikane që e paralajmëron anijen përpara se të qëllojë.
Zolfaghari tha se “Shtetet e Bashkuara agresive, duke shkelur armëpushimin dhe duke u angazhuar në pirateri detare, sulmuan një nga anijet e Iranit pasi çaktivizuan sistemin e tij të navigimit”.
Ai shtoi se forcat amerikane hipën në anije pasi vendosën “një numër marinsash terroristë” në të.
“Ne paralajmërojmë se forcat ushtarake të Iranit së shpejti do t’i përgjigjen dhe do të hakmerren kundër këtij akti të armatosur piraterie nga ushtria amerikane”, tha ai.