Lidhje


Fidan: Izraeli po përdor luftën në Lindjen e Mesme si pretekst për të pushtuar më shumë territore

Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, akuzoi sot Izraelin se po përdor luftën në Lindjen e Mesme si pretekst për të pushtuar më shumë territore.

“Izraeli nuk po kërkon të garantojë vetëm sigurinë e vet, Izraeli kërkon më shumë territore. Siguria përdoret nga qeveria e Benjamin Netanyahu si një justifikim për të pushtuar më shumë territore”, deklaroi Fidan gjatë një forumi diplomatik në Antalya, në jug të Turqisë.

 

Sipas tij, përveç territoreve palestineze  Rripi i Gazës, Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, Izraeli synon gjithashtu të shtrijë dominimin mbi zona që i përkasin Libanit dhe Sirisë.

“Ky është një pushtim dhe ekspansion i vazhdueshëm dhe duhet të ndalet”, shtoi ai duke theksuar se “Izraeli ka krijuar një iluzion në nivel ndërkombëtar duke pretenduar se kërkon vetëm sigurinë e vet”.

 

Këto deklarata vijnë në vijim të përplasjes së fundit verbale mes drejtuesve turq dhe izraelitë.

Fidan kishte akuzuar më herët Izraelin se dëshiron ta bëjë Turqinë “armiken e saj të re”, pasi homologu i tij izraelit, Israel Katz, e kishte cilësuar Turqinë si “tigër prej letre”.

 

Ministri turk shprehu gjithashtu shqetësimin se konflikti në Lindjen e Mesme po pengon përpjekjet, përfshirë ato të Ankarasë, për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Kjo e ka lënë në plan të dytë luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, u shpreh ai, duke bërë thirrje për rifillimin e përpjekjeve sapo të rikthehet qetësia në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG