Lidhje


Irani: Nuk pranojmë negociata nën hijen e kërcënimeve

 

Irani nuk do të negociojë “nën hijen e kërcënimeve”, deklaroi kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po përpiqen të ulen në tryezën e negociatave në Pakistan.

 

Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Ghalibaf shkroi se Donald Trump, përmes rrethimit dhe shkeljes së armëpushimit, po përpiqet ta kthejë tryezën e negociatave në një “tryezë dorëzimi” ose të justifikojë, sipas tij, veprime të reja luftënxitëse.

 

Ai shtoi se Irani “nuk pranon negociata nën hijen e kërcënimeve” dhe se në dy javët e fundit vendi është përgatitur të zbulojë “karta të reja në fushën e betejës”.

 

Armëpushimi dyjavor mes dy palëve pritet të skadojë më 21 prill, ndërsa mundësia e zgjatjes së tij nuk është përjashtuar, por mbetet e pasigurt.

 

Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i tha homologut të tij pakistanez Ishaq Dar se “shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit” nga SHBA përbëjnë një pengesë serioze për vijimin e procesit diplomatik, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme në Teheran.

XS
SM
MD
LG