Trump kërcënon: SHBA-ja është e gatshme të godasë Iranin nëse dështon marrëveshja
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se Washingtoni e përdori periudhën e armëpushimit me Iranin për të rimbushur rezervat e armëve, si dhe ka pretenduar se Teherani me sa duket ka bërë të njëjtën gjë dhe po përpiqej të lëvizte raketa, transmeton Anadolu.
Duke folur për CNBC, Trump tha se është i gatshëm të veprojë për të rifilluar sulmet nëse nuk materializohen mundësitë për një marrëveshje të nënshkruar, duke shprehur gjithashtu besim se të dyja palët në fund do të arrijnë një “marrëveshje të shkëlqyer”, një që ai më parë kishte thënë se do ta tejkalonte marrëveshjen e vitit 2015 për programin bërthamor.
Trump gjithashtu pretendoi se anija e mallrave me flamur iranian "Touska" e sekuestruar të dielën nga forcat amerikane pasi refuzoi të zbatonte udhëzimet e bllokadës, transportonte atë që ai e përshkroi si një “dhuratë nga Kina”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka konfirmuar se anija mbetet nën kontrollin amerikan pas ndalimit. Kina nuk reagoi menjëherë ndaj këtij pretendimi. Për një marrëveshje të mundshme valutore me Emiratet e Bashkuara Arabe, Trump tha se një shkëmbim është “në shqyrtim”, duke e quajtur shtetin e Gjirit “një vend të mirë”.
Armëpushimi dyjavor, i cili përfundon të mërkurën në mbrëmje sipas kohës së Washingtonit, është përshkruar nga presidenti si i shkelur “shumë herë” nga Irani. Ai më herët kishte thënë se zgjatja e tij ishte “shumë e pamundur” nëse nuk arrihej një marrëveshje paraprakisht.
Zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, së bashku me të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë drejt Islamabadit për një raund të ri bisedimesh. Irani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen, pasi ka kërkuar heqjen e bllokadës detare të SHBA-së si kusht paraprak.