Lufta Iran-SHBA: Katër skenarë se ç’mund të ndodhë, ndërsa bisedimet ngecin
Armëpushimi i brishtë dy-javor SHBA-Iran pritet të skadojë të mërkurën, pa qartësi nëse do të zgjatet, ndërsa tensionet janë rritur sërish.
Raundi i parë i bisedimeve SHBA-Iran më 11 prill përfundoi pa rezultat. Që atëherë, SHBA ka vendosur bllokadë detare ndaj anijeve të lidhura me Iranin në Ngushticën e Hormuzit, Irani ka qëlluar ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë dhe të hënën SHBA sekuestroi një anije iraniane. Teherani e quajti këtë “pirateri” dhe kërcënoi me hakmarrje, ndërsa Trump paralajmëroi se do të godasë urat dhe centralet iraniane nëse nuk arrihet marrëveshje.
Çfarë ka të re nga të dyja palët?
Të dyja palët po shkëmbejnë kërcënime ndërsa afati i armëpushimit po afron.
Trump thotë se Irani ose do të negociojë, ose do të përballet me pasoja të rënda. Ai ka konfirmuar se delegacioni amerikan synon të shkojë në Islamabad.
Irani, nga ana tjetër, këmbëngul se nuk do të negociojë nën presion. Zyrtarë iranianë kanë thënë se në kushtet aktuale bisedimet “nuk janë të pranueshme”.
Sipas analistëve, çështja kryesore është nëse SHBA do të ulë presionin dhe nëse Irani do të zbusë levat e tij të presionit.
Ja katër skenarët kryesorë:
Skenari 1: Bisedimet zhvillohen dhe arrijnë një marrëveshje të përkohshme
Pakistani po përpiqet të sigurojë disa ditë negociatash.
Nga pala amerikane pritet të jenë Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Nëse Irani merr pjesë, delegacioni i tij pritet të drejtohet sërish nga Mohammad Bagher Ghalibaf.
Objektivi do të ishte një mirëkuptim i përkohshëm që zgjat armëpushimin dhe fiton kohë për një marrëveshje më të gjerë.
Por dallimet mbeten të mëdha: programi bërthamor, Hormuzi, sanksionet dhe asetet e ngrira.
Skenari 2: Bisedimet mbyllen pa përparim, por me zgjatje të armëpushimit
Sipas analistëve, pa kompromise nga të dyja palët nuk ka gjasa për marrëveshje reale.
Trump vazhdon të kërkojë ndalimin total të pasurimit të uraniumit dhe dorëzimin e rezervave iraniane. Irani i ka refuzuar këto kërkesa.
Megjithatë, edhe pa përparim, palët mund të bien dakord për një zgjatje të përkohshme të armëpushimit.
Skenari 3: Nuk ka bisedime, por armëpushimi zgjatet
Trump ka thënë se është pak e mundshme ta zgjasë armëpushimin pa marrëveshje.
Megjithatë, analistët thonë se një zgjatje në minutën e fundit nuk do të ishte surprizë, edhe nëse Irani nuk shkon në Islamabad.
Por kjo do të ishte vetëm një pauzë e brishtë, jo stabilitet i qëndrueshëm. Rreziku i keqllogaritjeve do të mbetej i lartë.
Skenari 4: Bisedimet dështojnë dhe armëpushimi skadon
Ky është skenari më i rrezikshëm.
Trump ka thënë hapur se, nëse nuk ka marrëveshje, bombardimet mund të rifillojnë. Nga ana tjetër, Ghalibaf ka lënë të kuptohet se Irani është gati të nxjerrë “karta të reja” në fushën e betejës.
Sipas analistëve, nëse armëpushimi shembet, përshkallëzimi mund të jetë i shpejtë dhe shumë i ashpër, me pasoja për gjithë rajonin./ Al Jazeera