Lidhje


HISTORIKE! Gjermania shpall riarmatimin më të madh pas L2B - 460 mijë ushtarë dhe dominim ushtarak në Evropë

 

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, prezantoi të mërkurën strategjinë e parë gjithëpërfshirëse ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, një dokument historik që përcakton drejtimin strategjik të ardhshëm të Bundeswehr-it dhe mënyrën se si ushtria gjermane do t’u përgjigjet kërcënimeve të reja ndërkombëtare. Strategjia mban titullin “Përgjegjësia për Evropën” dhe shënon një kthesë të fortë në doktrinën e mbrojtjes së Berlinit.


Gjatë prezantimit në Berlin, Pistorius deklaroi se “rrallëherë një strategji ushtarake ka qenë kaq e nevojshme sa në këtë fazë historike”, duke theksuar se bota është bërë shumë më e paparashikshme dhe më e rrezikshme që nga nisja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe vënia serioze në pikëpyetje e rendit ndërkombëtar.


Në intervistën e plotë për Deutsche Welle, gazetari Auron Dodi theksoi se kjo është hera e parë që Gjermania prezanton një strategji të tillë ushtarake pas vitit 1945. Ministri gjerman i Mbrojtjes deklaroi se “ne të gjithë duhet të pranojmë faktin se paqen dhe lirinë nuk mund t’i marrim më si të vetëkuptueshme, por duhet t’i mbrojmë dhe kjo do të thotë që duhet të jemi të aftë t’i mbrojmë ato”.


Strategjia e re e përshkruan Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë” për sigurinë gjermane dhe transatlantike. Në dokument thuhet se Rusia po krijon kushtet për një sulm ushtarak ndaj vendeve të NATO-s dhe se po përgatitet përmes forcimit ushtarak për një përballje të mundshme me aleancën, duke e konsideruar përdorimin e forcës ushtarake si një mjet legjitim për afirmimin e interesave të saj.


Pistorius theksoi se Gjermania do të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe do të veprojë me më shumë autonomi në mbrojtjen e Evropës, edhe për shkak të orientimit gjithnjë e më të madh të SHBA-së drejt rajonit Indo-Paqësor. Si ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, Berlini e konsideron veten me një “përgjegjësi të veçantë” për të garantuar siguri dhe për të qetësuar aleatët.


Objektivi kryesor i strategjisë është zgjerimi masiv i Bundeswehr-it. Deri në mesin e viteve 2030, konkretisht deri në vitin 2035, Gjermania synon të ketë gjithsej 460.000 ushtarë, nga të cilët 200.000 do të jenë rezervistë. Strategjia e rezervës synon që deri në vitin 2033 të sigurohen mbi 200.000 rezervistë si një “urë lidhëse mes ushtrisë dhe shoqërisë civile”, me fokus kryesisht në mbrojtjen territoriale dhe logjistikën.


Qëllimi i deklaruar është që deri në vitin 2029 Bundeswehr-i të bëhet ushtria konvencionale më e fortë në Evropë. Pistorius u zotua të punojë “shpejt”, ndërsa shtoi se në plan afatgjatë Gjermania do të krijojë edhe epërsi teknologjike ushtarake.


Aktualisht, Gjermania ka rreth 185.400–186.400 ushtarë aktivë. Vetëm deri në fund të marsit të këtij viti, ushtria gjermane kishte shtuar rreth 3.300 ushtarë më shumë krahasuar me marsin e vitit të kaluar, por ritmi mbetet i ngadaltë përballë objektivit të ri.


Për të arritur këtë zgjerim të madh, Ministria e Mbrojtjes po mbështetet te një kombinim stimujsh dhe detyrimesh. Një nga masat kryesore është kontrolli i detyrueshëm mjekësor për të gjithë meshkujt e rinj. Nëse kjo nuk do të mjaftojë për të rritur numrin e vullnetarëve, mund të riaktivizohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili u pezullua në vitin 2011.


Megjithatë, përfaqësues të ministrisë, përfshirë sekretarin e shtetit për mbrojtjen Nils Hilmer, kanë sqaruar se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm nuk është aktualisht në diskutim, pasi sipas tyre Gjermania ndodhet “në rrugën e duhur”. Bundeswehr-i po lejon gjithashtu zgjerime të sektorëve ku ka më shumë interes dhe për postet më të kërkuara do të rekrutojë më shumë personel sesa kërkohet aktualisht.


Riarmatimi gjerman është pjesë e asaj që Berlini e quan “Zeitenwende” – kthesa epokale – e shpallur në vitin 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë. Sot, buxheti ushtarak i Gjermanisë është i katërti më i madh në botë për nga vëllimi, ndërsa vitin e kaluar Gjermania shpenzoi për mbrojtjen, në terma absolutë, më shumë se çdo vend tjetër evropian.


Deri në vitin 2029, më shumë se 150 miliardë euro në vit do të investohen në mbrojtje. Kjo shumë përfaqëson një trefishim të buxhetit ushtarak krahasuar me vitin 2002 dhe shënon një nga programet më të mëdha të riarmatimit në historinë moderne të Gjermanisë.


Përveç strategjisë ushtarake, Pistorius prezantoi edhe “profilin e kapaciteteve”, që përcakton përbërjen, strukturën dhe aftësitë që duhet të kenë forcat e armatosura për mbrojtjen kombëtare dhe mbrojtjen kolektive brenda NATO-s, përfshirë mbrojtjen ajrore.


Po ashtu, u prezantua edhe një agjendë për zhburokratizim dhe modernizim, që synon të luftojë burokracinë e tepërt në Bundeswehr. Ministria ka rishikuar qindra rregulla të brendshme dhe ka vendosur që secila prej tyre të ketë një afat skadimi: nëse pas këtij afati nuk konsiderohen më të dobishme, ato do të hiqen automatikisht. Gjithashtu, planifikohet krijimi i një “Bundeswehr-Wallet”, një portofol digjital që do të përmbajë të gjitha dokumentet personale të rëndësishme për çdo pjesëtar të ushtrisë.


Një element tjetër i rëndësishëm është fleksibiliteti strategjik. Të gjitha dokumentet e reja konsiderohen “dokumente të gjalla”, që mund të përshtaten vazhdimisht sipas zhvillimeve të situatës ndërkombëtare dhe nuk mbeten objektiva të ngurta në kohë.


Gjermania ka pasur më parë dokumente të njohura si “Librat e Bardhë”, por kjo është hera e parë që paraqitet një strategji e plotë dhe gjithëpërfshirëse ushtarake. Për dekada me radhë, Berlini ishte fokusuar vetëm te veprimi brenda kornizës së NATO-s dhe shmangte çdo perceptim si fuqi ushtarake autonome, për shkak të trashëgimisë së Luftës së Dytë Botërore dhe frikës së fqinjëve si Franca apo Polonia ndaj një Gjermanie të militarizuar.


Sot, sipas Berlinit, bota ka ndryshuar dhe bashkë me të edhe roli i Gjermanisë. Rezultati është kjo strategji e re që synon ta shndërrojë Bundeswehr-in në një ushtri më të madhe, më moderne, më fleksibile dhe me rol kyç në mbrojtjen e Evropës.

XS
SM
MD
LG