“Gjeniu” i Caltech me armë drejt Trumpit? Kush është Cole Allen, 31-vjeçari që tronditi darkën më të blinduar të Amerikës
Një profil që në pamje të parë nuk ngjan aspak me atë të një atentatori klasik, por që sot është në qendër të një prej ngjarjeve më të rënda të sigurisë në SHBA. Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance, California, është identifikuar nga autoritetet amerikane si personi i dyshuar për sulmin e armatosur gjatë darkës së White House Correspondents’ Association në hotelin Washington Hilton në Washington D.C., aty ku ndodheshin Presidenti Donald Trump, Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe figura të larta të administratës amerikane.
Ngjarja ka shkaktuar alarm maksimal në qarqet e sigurisë amerikane, pasi bëhet fjalë për një nga eventet më të mbrojtura politikisht në SHBA, ku çdo lëvizje kontrollohet nga Secret Service dhe agjencitë federale.
Sipas raportimeve të Reuters, Associated Press, Wall Street Journal, Al Jazeera dhe mediave të tjera ndërkombëtare, Allen ishte i armatosur me një shotgun, ndërsa burime të tjera raportojnë edhe për një pistoletë dhe disa thika. Në momentin e ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ai dyshohet se ka qëlluar ndaj një agjenti të Secret Service, i cili mbijetoi falë jelekut antiplumb.
Prokurorja Jeanine Pirro deklaroi se i dyshuari “synonte të shkaktonte sa më shumë dëm” dhe se u kishte thënë agjentëve në momentin e arrestimit se "donte të qëllonte zyrtarë të administratës Trump" ndërsa autoritetet po përgatisin akuza federale për përdorim arme gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj oficerëve federalë.
Por ajo që ka habitur më shumë hetuesit është profili i tij.
Cole Allen nuk rezulton si një person me precedentë kriminalë të njohur publikisht, as si një figurë e njohur e ekstremizmit politik. Përkundrazi, ai vjen nga një sfond akademik elitar. Ai është diplomuar në Caltech (California Institute of Technology), një nga institucionet më prestigjioze shkencore në botë, në degën e inxhinierisë mekanike në vitin 2017. Më pas ka përfunduar edhe një master në shkenca kompjuterike në California State University, Dominguez Hills, në vitin 2025.
Sipas profilit të tij profesional, ai punonte si mësues dhe tutor në C2 Education, ku madje kishte marrë edhe vlerësimin “Teacher of the Month” në Torrance. Paralelisht, merrej si zhvillues i pavarur i lojërave kompjuterike.
Në një profil LinkedIn të lidhur me emrin e tij, ai përshkruhej me fjalët: “Mechanical engineer and computer scientist by degree, independent game developer by experience, teacher by birth”, një formulim që sot po qarkullon gjerësisht në mediat amerikane si simbol i kontrastit mes profilit të tij publik dhe akuzave që rëndojnë mbi të.
Reuters raporton se në seksionin “Causes” të profilit të tij figuronte vetëm “Science and Technology”, pa asnjë shenjë të dukshme të aktivizmit politik, radikalizmit ideologjik apo angazhimeve publike ekstremiste.
Edhe ish-pedagogët e tij janë shprehur të habitur. Profesori Bin Tang e përshkroi për Associated Press si një student shumë të mirë, të qetë, të sjellshëm dhe të vëmendshëm në klasë. Sipas tij, nuk kishte asnjë sinjal që do ta lidhte me një akt të tillë dhune.
Gjatë viteve universitare, Allen kishte marrë pjesë në projekte inxhinierike me natyrë sociale dhe teknike, përfshirë një sistem frenimi emergjent për karrige me rrota, si dhe një garë robotike të fituar nga ekipi i tij në Caltech.
Kjo është arsyeja pse hetuesit po përpiqen të kuptojnë nëse kemi të bëjmë me një radikalizim të fshehtë, një krizë personale, një motiv politik të mirëstrukturuar apo një shpërthim individual pa rrjet mbështetës.
Deri tani, pista më e fortë për motivin vjen nga raportime të CBS të cituara nga Euronews, sipas të cilave Allen u ka thënë autoriteteve se synonte të qëllonte zyrtarë të administratës Trump. Kjo është deri tani indicia më e fortë që sulmi kishte natyrë politike, megjithëse policia ende nuk ka publikuar një motiv zyrtar të plotë.
Nuk është zbuluar asnjë manifest publik, asnjë deklaratë ideologjike e strukturuar dhe asnjë lidhje me organizata ekstremiste apo terroriste. Autoritetet po e trajtojnë paraprakisht si një “lone actor”, pra një sulmues i vetëm, pa bashkëpunëtorë të identifikuar deri tani.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se Allen nuk ishte thjesht një person jashtë perimetrit të sigurisë. Wall Street Journal dhe Al Jazeera raportojnë se ai ishte mysafir i regjistruar në hotelin Washington Hilton, gjë që mund t’i ketë dhënë akses më të afërt me zonën e eventit. Hoteli ishte i kufizuar për publikun, por i hapur për mysafirët dhe personat me dokumentacion të lidhur me eventin.
Kjo e bën çështjen edhe më sensitive për Secret Service, pasi ngre pikëpyetje serioze mbi filtrat e sigurisë në një nga eventet më të ndjeshme politike të vitit.
Në aspektin politik, disa media kanë raportuar se Allen kishte bërë një donacion prej vetëm 25 dollarësh për një komitet demokrat në mbështetje të Kamala Harris gjatë vitit 2024. Megjithatë, hetuesit theksojnë se kjo nuk mjafton për të ndërtuar një profil të qartë ideologjik dhe nuk provon automatikisht një motiv partiak.
Vetë Donald Trump deklaroi se, nga informacionet paraprake, nuk besonte se sulmi kishte lidhje me konfliktin SHBA-Izrael-Iran, duke larguar të paktën për momentin spekulimet për një motiv të lidhur me zhvillimet e fundit gjeopolitike.
Sot, tabloja mbetet po aq tronditëse sa edhe e paqartë: një 31-vjeçar me diplomë nga Caltech, mësues i vlerësuar, programues dhe zhvillues lojërash, pa histori të njohur kriminale dhe pa një profil klasik ekstremist, dyshohet se hyri i armatosur në një nga eventet më të blinduara të elitës politike amerikane me objektivin për të goditur njerëzit më të rëndësishëm të administratës Trump.
Një “gjeni i qetë” që sot po përshkruhet nga mediat amerikane si njeriu që mund të kishte ndryshuar historinë politike të Shteteve të Bashkuara brenda pak minutash.