Lidhje


Macron nga Athina paralajmëron Ankaranë: “Nëse Turqia kërcënon Greqinë, Franca do të jetë aty!”

 

Dita e dytë e vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Athinë u shndërrua në një demonstrim të fortë force dhe një mesazh të drejtpërdrejtë politik për rajonin, teksa së bashku me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis vizituan në portin e Pireut fregatën moderne “Kimon”, një nga simbolet më të rëndësishme të bashkëpunimit strategjik mes Greqisë dhe Francës.

 

Nën tingujt e himneve kombëtare dhe me fluturimin ceremonial të avionëve luftarakë Rafale mbi zonë, dy liderët inspektuan nga afër fregatën “Kimon”, pjesë e klasës së avancuar Belharra (FDI HN), e ndërtuar nga kompania franceze Naval Group për marinën greke.

 

“Kimon” është pjesë e paketës së madhe të armatimit që Athina ka blerë nga Parisi, me Greqinë që ka porositur disa fregata të këtij lloji për forcimin e flotës së saj detare dhe balancimin strategjik në Mesdheun Lindor.

 

Macron dhe Mitsotakis vizituan qendrën operative, sallën e planifikimit dhe urën komanduese të fregatës, duke vënë në pah jo vetëm dimensionin simbolik, por edhe rëndësinë praktike të aleancës ushtarake mes dy vendeve.

 

Por vëmendjen më të madhe e mori mesazhi i fortë politik i presidentit francez për sigurinë greke dhe tensionet në rajon.

 

Sipas mediave greke, Macron ishte shumë më i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij, duke theksuar:

 

“Nëse Turqia do të kërcënonte Greqinë, ne do të ishim aty. Do të ishim të pranishëm.”

 

Një formulim që në Athinë u interpretua si një paralajmërim i qartë për Ankaranë dhe një riafirmim i klauzolës së mbrojtjes reciproke mes Francës dhe Greqisë.

 

Presidenti francez shtoi gjithashtu se nuk ka “asnjë hapësirë për dyshim” sa i përket mbështetjes franceze ndaj Greqisë përballë çdo kërcënimi ndaj sovranitetit të saj, duke kujtuar edhe tensionet e mëdha të vitit 2020 në Egje dhe Mesdheun Lindor, kur Parisi mbështeti hapur Athinën përballë presionit turk.

 

Vizita në fregatën “Kimon” konsiderohet si preludi i rinovimit të marrëveshjes strategjike Francë-Greqi, e nënshkruar fillimisht në vitin 2021 dhe tashmë e zgjatur për një tjetër periudhë pesëvjeçare, me mundësi rinovimi automatik.

 

Marrëveshja nuk kufizohet vetëm në mbrojtje, por përfshin edhe ekonomi, teknologji, energji, mjedis dhe menaxhimin e krizave, duke e kthyer partneritetin Athinë-Paris në një nga boshtet më të forta të sigurisë në Mesdhe.

 

Autoritetet sqarojnë se nuk bëhet fjalë për një program të ri masiv armatimesh si blerje të reja fregatash apo avionësh, por për thellim të bashkëpunimit industrial ushtarak, modernizim sistemesh raketore dhe përfshirje më të madhe të industrisë greke në zinxhirin strategjik të mbrojtjes franceze.

 

Në praktikë, vizita e Macron në Pire ishte shumë më tepër se një ceremoni detare: ishte një sinjal i drejtpërdrejtë gjeopolitik për të gjithë Mesdheun dhe një mesazh i qartë se Parisi nuk ka ndërmend të lërë Athinën vetëm përballë Ankarasë.

XS
SM
MD
LG