Ministri i Jashtëm i Iranit nga Rusia: SHBA-të janë fajtore për dështimin e bisedimeve diplomatike
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha pas mbërritjes në Rusi, ku pritet të takohet me Presidentin Vladimir Putin më vonë gjatë ditës, se “siguria e kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit është një çështje e rëndësishme globale”, ndërsa SHBA-të dhe Irani vazhdojnë bllokadat e tyre në Ngushticën me rëndësi strategjike.
Nga Shën Petersburgu, kreu i diplomacisë iraniane akuzoi Shtetet e Bashkuara si përgjegjëse për dështimin e bisedimeve të paqes në Pakistan.
“Qasja amerikane rezultoi në mosarritjen e qëllimeve të raundit të mëparshëm të negociatave, pavarësisht progresit, për shkak të kërkesave të tepërta”, tha Abbas Araghchi, sipas mediave shtetërore iraniane.
Ndërkohë, Irani i ka dhënë SHBA-së, nëpërmjet ndërmjetësve pakistanezë, një propozim të ri për të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës , ndërsa negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit po shtyhen për një fazë të mëvonshme , raportoi faqja amerikane e lajmeve Axios, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan dhe dy burime të njohura me çështjen.