Lidhje


Merz godet Trumpin: “SHBA po poshtërohet nga Irani” – Kancelari gjerman alarmon për dështimin amerikan në krizën me Teheranin

 

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka lëshuar një deklaratë të fortë dhe të pazakontë ndaj mënyrës se si Shtetet e Bashkuara po menaxhojnë përplasjen me Iranin, duke thënë hapur se Uashingtoni po “poshtërohet” nga udhëheqja iraniane dhe veçanërisht nga Garda Revolucionare.

 

Duke folur të hënën para studentëve në Marsberg, në landin e Nordrhein-Westfalen, Merz tha se situata aktuale tregon një dobësi të qartë amerikane përballë Teheranit dhe mungesë të një strategjie të qartë daljeje nga kriza.

 

“Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga këta të ashtuquajtur Garda Revolucionare”, deklaroi kancelari gjerman, sipas raportimit të Reuters.

 

Merz theksoi se iranianët po tregohen jashtëzakonisht të aftë në menaxhimin e negociatave dhe sidomos në zvarritjen e tyre, duke e vendosur administratën amerikane në një pozitë të vështirë politike dhe diplomatike.

 

“Ata janë dukshëm shumë të zotë në negociata, ose më saktë, shumë të zotë për të mos negociuar”, u shpreh ai, duke ironizuar procesin e bisedimeve që sipas tij ka prodhuar më shumë lëvizje diplomatike sesa rezultate konkrete.

 

Ai shtoi se për momentin nuk sheh qartë se çfarë strategjie po ndjek administrata amerikane për të dalë nga kjo situatë.

 

“Për momentin, nuk shoh se çfarë strategjie daljeje po zgjedhin amerikanët”, deklaroi Merz.

 

Komentet e kancelarit vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa përpjekjet për armëpushim dhe menaxhim të krizës rajonale kanë hyrë në një fazë të ndërlikuar. Në disa media ndërkombëtare, deklaratat e Merz janë interpretuar si një sinjal se edhe brenda Europës po rritet shqetësimi për mënyrën si administrata Trump po përballet me Teheranin.

 

Deklarata e tij konsiderohet si një nga kritikat më të forta publike të një kancelari gjerman ndaj Uashingtonit në këtë fazë të konfliktit, duke reflektuar jo vetëm shqetësimin diplomatik të Berlinit, por edhe frikën se përshkallëzimi i krizës mund të prodhojë pasoja shumë më të mëdha për sigurinë globale dhe ekonominë europiane.

XS
SM
MD
LG