Erdogan shpërthen: Nga Palestina në Sudan po derdhen lot, bota “e civilizuar” po hesht përballë masakrave
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se myslimanët po kalojnë një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme, duke iu referuar konflikteve të vazhdueshme dhe krizave humanitare në disa rajone të botës.
Duke folur në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve të Konkursit Ndërkombëtar të Recitimit të Kuranit, Erdogan tha se nga Palestina deri në Liban, nga Gjiri deri në Sudan, nga Somalia në Jemen, kudo që të kthehet vështrimi, përballen vetëm me lot dhe tragjedi.
“Nga Palestina në Liban, nga Gjiri në Sudan, nga Somalia në Jemen, kudo që kthejmë kokën, fatkeqësisht përballemi me lot”, deklaroi ai.
Ai shtoi se në këto ditë sprove, ndërsa e ashtuquajtura botë e civilizuar mbyll sytë, foshnjat në djep dhe civilët e pambrojtur po masakrohen brutalisht.
“Në këto ditë sprove, kur e ashtuquajtura botë e civilizuar mbyll sytë, foshnjat në djep dhe civilët e pambrojtur po masakrohen brutalisht”, tha Erdogan.
Presidenti turk kritikoi gjithashtu ata që sipas tij për vite me radhë kanë folur me arrogancë për drejtësinë, barazinë dhe të drejtat e njeriut.
“Sot, të gjithë po ua shohim fytyrën e vërtetë”, u shpreh ai.
Erdogan theksoi se myslimanët duhet t’i drejtohen besimit dhe unitetit për të përballuar këtë periudhë të vështirë.
“Për ta kaluar këtë provë, nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të besojmë tek njëri-tjetri, t’i besojmë njëri-tjetrit dhe të mbështesim njëri-tjetrin”, tha ai.
Ai shtoi se përçarjet e brendshme duhet të lihen mënjanë dhe se myslimanët duhet të bëhen një trup i vetëm.
“Si myslimanë, jemi të detyruar të lëmë mënjanë përçarjen, konfliktet dhe armiqësinë, si edhe debatet e panevojshme dhe të parakohshme, dhe të bëhemi një trup i vetëm”, përfundoi Erdogan.