Reuters: Garda Revolucionare merr vendimet ushtarake dhe politike në Iran
Kur janë bërë dy muaj nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Irani nuk ka më një lider klerikal të padiskutueshëm në krye të pushtetit.
Mojtaba Khamenei mbetet në majë të sistemit, por detyra e tij konsiston në legjitimimin e vendimeve të marra nga gjeneralët dhe jo në dhënien e direktivave.
Kështu deklarojnë zyrtarë iranianë në dijeni të situatës, të cilëve u referohet agjencia e lajmeve “Reuters”.
Edhe analistë iranianë thonë se presioni i periudhës luftarake e ka fiksuar pushtetin në një rreth të ngushtë, të rrënjosur në Këshillin Suprem për Sigurinë Kombëtare dhe tek Garda Revolucionare, që tashmë dominojnë si strategjinë ushtarake edhe vendimet politike kyçe.
“Iranianët janë jashtëzakonisht të ngadaltë në përgjigjet e tyre. Duket se nuk ekziston një strukturë vendimmarrëse unitare dhe disa herë u duhen dy ose tre ditë për të kthyer përgjigje”, ka deklaruar një funksionar i qeverisë pakistaneze, në dijeni të bisedimeve të paqes, të ndërmjetësuara nga Islamabadi.
Fytyra diplomatike e Republikës Islamike në bisedimet me Amerikën është ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, me të cilin është bashkuar edhe kryetari i Parlamentit, Mohammed Ghalibaf, që së fundmi ka rënë në sy për rolin ndërlidhës mes elitës politike, asaj të sigurisë dhe asaj fetare iraniane.
Megjithatë, interlokutori qendror ka qenë komandanti i Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi – kanë deklaruar një burim pakistanez dhe dy iraniane, që së fundmi e kanë identifikuar komandantin e lartë si figurë kyçe të Iranit.