Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut shtrohet në spital në gjendje të rëndë për jetën
Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, është shtruar në spital në gjendje “kritike, por të qëndrueshme”, njoftoi të dielën zëdhënësi i tij, pa specifikuar se me çfarë problemesh shëndetësore po përballet ish-prokurori 81-vjeçar.
“Kryebashkiaku Giuliani është një luftëtar që është përballur me çdo sfidë në jetë me forcë të palëkundur dhe po lufton me të njëjtin nivel vendosmërie ndërsa flasim”, tha Ted Goodman, zëdhënësi i tij, nëpërmjet X.
Ai nuk specifikoi se ku po trajtohet Giuliani që dikur quhej “kryetari i bashkisë së Amerikës”, as kur është pranuar në spital.
Ish-prokurori, i cili bëri emër në gjyqet kundër mafias së Nju Jorkut dhe u lavdërua për mënyrën se si e trajtoi krizën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në metropolin amerikan, nuk kishte arritur të siguronte nominimin republikan në procesin partiak të vitit 2008.
Avokati i mëvonshëm personal i Donald Trump u turpërua në vitin 2023 kur u urdhërua të paguante 148 milionë dollarë dëmshpërblim dhe interesa në një çështje shpifjeje për akuza për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Giuliani luajti një rol “të rëndësishëm” në përpjekjen për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të atij viti, të cilat u fituan nga demokrati Joe Biden.