Gjermania përgatitet për Hormuzin: anija “Fulda” niset drejt Mesdheut, Bundestagu do të vendosë për misionin
Gjermania ka nisur përgatitjet paraprake për një mision të mundshëm ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të tregtisë botërore të energjisë. Nga baza detare Kiel-Wik në Detin Baltik, anija gjermane e çminimit “Fulda” është nisur drejt Mesdheut, ku fillimisht pritet të integrohet në një njësi të NATO-s për kundërveprimin ndaj minave detare.
“Fulda” është e specializuar në zbulimin dhe asgjësimin e minave detare. Vendosja e saj në Mesdhe do ta afrojë marinën gjermane me zonën e mundshme të operacionit, në rast se pas luftës me Iranin do të krijohet një mision ndërkombëtar për pastrimin dhe sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, regjimi në Teheran ka bllokuar ngushticën jetike për lundrimin tregtar, e cila raportohet se mund të jetë minuar. Bllokada ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe gazit të lëngshëm në tregjet botërore, duke sjellë pasoja të rënda edhe për ekonominë gjermane.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar disa herë se Gjermania është e gatshme të kontribuojë në garantimin e një marrëveshjeje paqeje, por vetëm pas përfundimit të luftës me Iranin. Në emisionin “Caren Miosga” të ARD-së, më 3 maj 2026, Merz tha se ia ka përsëritur presidentit amerikan Donald Trump se kjo luftë tashmë ka pasoja të konsiderueshme për Gjermaninë dhe se Berlini dëshiron ta shohë atë të përfunduar, duke qenë i gatshëm të ofrojë ndihmë.
Marina gjermane ka përvojë të gjatë në çminimin detar. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ajo ka pastruar municione të vjetra, sidomos në Detin Baltik. Flota gjermane ka dhjetë anije detektuese minash, të pajisura me dronë modernë dhe zhytës shumë të specializuar për zbulimin e minave. Kjo aftësi konsiderohet nga NATO si një kapacitet i rrallë dhe shumë i nevojshëm.