Lidhje


PDK kritikon vonesat në Gjykatën Speciale: Padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

 

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK në Gjykatën Speciale.

 

Sipas PDK-së, zvarritja e procedurave gjyqësore përbën një padrejtësi ndaj të akuzuarve, të cilët prej më shumë se pesë vitesh e gjysmë ndodhen në paraburgim. Në reagimin e saj, PDK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të shmangin dëmtimin e mëtejshëm të besimit në drejtësinë ndërkombëtare.

 

Mesazhi i plotë:

 

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

 

Kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike.

 

Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura.

 

PDK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

 

PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”

XS
SM
MD
LG