Lidhje


Serbia hap dosjet sekrete me Izraelin: dronë, armë dhe marrëveshja që ndez Ballkanin

 

Serbia dhe Izraeli kanë thelluar bashkëpunimin ushtarak përmes një marrëveshjeje për shkëmbimin dhe mbrojtjen e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes. Autoritetet serbe thonë se marrëveshja krijon kushte për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, por nuk japin detaje konkrete. Opozita e ka kritikuar këtë afrim, duke e cilësuar të papërshtatshëm për shkak të operacioneve të Izraelit në Gazë dhe përfshirjes së tij në konfliktin me Iranin. Presidenti Aleksandar Vuçiq është përgjigjur se Serbia bashkëpunon si me Iranin, ashtu edhe me Izraelin, dhe se nuk i jep llogari askujt për këtë politikë.

 

Sipas ekspertëve, marrëveshje të tilla zakonisht janë hapi paraprak për eksport ose transferim teknologjie të sofistikuar ushtarake, pasi kompanitë kërkojnë garanci se teknologjia, të dhënat dhe sekretet industriale do të mbrohen. Kjo lidhet me paralajmërimin e Vuçiqit se Serbia, bashkë me Izraelin, do të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e “dronëve më të mirë në këtë pjesë të botës”. Media hulumtuese BIRN dhe gazeta izraelite Haaretz kanë raportuar se marrëveshja për fabrikën lidhet me gjigantin izraelit të mbrojtjes Elbit Systems, ndërsa më herët mediat izraelite raportuan për një kontratë të mundshme prej 1.64 miliard dollarësh mes Serbisë dhe kësaj kompanie.

 

Marrëveshja ka hyrë në zbatim të përkohshëm përpara ratifikimit në Kuvendin e Serbisë, me arsyetimin e urgjencës për kontrata që lidhen me armatimin dhe rritjen e aftësive operative të ushtrisë serbe. Beogradi ka marrëveshje të ngjashme për mbrojtjen e të dhënave me më shumë se 20 vende dhe organizata, përfshirë NATO-n, BE-në, Rusinë, Francën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa shtete fqinje. Por marrëveshja me Izraelin është më specifike, sepse fokusohet drejtpërdrejt te fusha e mbrojtjes.

 

Në sfond qëndron edhe çështja e eksporteve të armëve serbe drejt Izraelit. Sipas Vuçiqit, dërgesat e municionit janë përshpejtuar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, ndërsa hetime ndërkombëtare kanë raportuar se eksportet e armëve nga Serbia drejt Izraelit janë rritur ndjeshëm. Edhe pse Serbia njoftoi pezullim të eksporteve pas sulmit izraelit ndaj Iranit në qershor 2025, REL raporton se avionë mallrash izraelitë kanë qenë disa herë në Beograd dhe se eksportet e armatimit jashtë vendit janë rifilluar që nga shkurti. Të dhënat zyrtare mbeten të kufizuara, pasi Serbia prej vitesh nuk publikon plotësisht se çfarë armësh eksporton, kujt ia shet, në çfarë sasie dhe me çfarë çmimi.

XS
SM
MD
LG