Avokati i Popullit i Kosovës letër ndërkombëtarëve: Shqetësime për standardet nga Dhomat e Specializuara
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera partnere, duke iu përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” të organizatës britanike “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), si dhe shqetësimet e ngritura mbi bazën e tij.
Letra, e dërguar përmes kanaleve diplomatike, i është adresuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së. Po ashtu, ajo u është dërguar ministrave të jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë, si dhe drejtuesve të lartë të institucioneve evropiane dhe të Këshillit të Evropës, përfshirë Ursula von der Leyen, Kaja Kallas, Roberta Metsola dhe të tjerë zyrtarë ndërkombëtarë.
Në letër, Avokati i Popullit shpreh shqetësime lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke u bazuar në gjetjet e raportit të BHRC. Ai thekson se institucioni që ai drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve në këtë gjykatë.
Sipas tij, raporti ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtës për një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, duke përfshirë parimet themelore si prezumimi i pafajësisë, barazia e armëve dhe e drejta për mbrojtje efektive, të garantuara nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të zbatueshme në Kosovë përmes Kushtetutës.
Avokati i Popullit thotë se këto standarde janë thelbësore për legjitimitetin dhe besueshmërinë e çdo mekanizmi gjyqësor ndërkombëtar dhe nënvizon rëndësinë që Dhomat e Specializuara të vazhdojnë t’i respektojnë plotësisht ato.
Ai kujton gjithashtu se Kosova ka demonstruar angazhim ndaj drejtësisë ndërkombëtare duke krijuar Dhomat e Specializuara përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës, si dhe duke bashkëpunuar plotësisht me proceset gjyqësore, përfshirë dorëzimin vullnetar të përfaqësuesve të saj politikë.
Në përfundim, Avokati i Popullit thekson rëndësinë e adresimit të shqetësimeve të ngritura, jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të vetë procesit gjyqësor.