Schmidt largohet papritur nga Bosnja: presione politike, gazsjellësi dhe hija e një pazari të madh ndërkombëtar
Edhe 24 orë pas lajmit për tërheqjen e Christian Schmidt, përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, arsyet e vendimit mbeten të paqarta. Zyrtarisht, Schmidt e ka cilësuar largimin si “vendim personal”, por media dhe analistë e lidhin zhvillimin me presione politike, çështjen e pronës shtetërore dhe projektin e gazsjellësit Interkoneksioni Jugor.
Schmidt kishte detyrën të mbikëqyrte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Por mungesa e reagimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ka shtuar dyshimet për një ndryshim më të gjerë në qasjen ndërkombëtare ndaj Bosnje-Hercegovinës.
Në qendër të debatit mbetet prona shtetërore, një çështje e pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash për shkak të bllokadave politike, sidomos nga Republika Sërpska. Analistët vlerësojnë se qasja e re amerikane, më pragmatike dhe e orientuar drejt interesave ekonomike e gjeopolitike, mund të ketë ndikuar në vendimin e Schmidt.
Ndërkohë, raporti i tij për Bosnje-Hercegovinën pritet të prezantohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku theksohen bllokadat politike, mungesa e reformave, korrupsioni dhe retorika nacionaliste si faktorë që po pengojnë funksionimin e shtetit dhe integrimin evropian.
E ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë mbetet gjithashtu e pasigurt. Roli i saj mund të zvogëlohet gradualisht në kuadër të procesit të integrimit evropian, por për momentin largimi i Schmidt shihet si sinjal i fortë i një faze të re pasigurie politike dhe gjeopolitike në Bosnje-Hercegovinë.