Haga rrëzon sërish Ratko Mlladiçin: “Kasapi i Bosnjës” nuk lirohet nga burgu për arsye shëndetësore
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, ish-Tribunali i Hagës, ka refuzuar sërish kërkesën e Ratko Mlladiçit për lirim të përkohshëm nga burgu për arsye shëndetësore.
Mlladiç, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, është dënuar në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Mekanizmit, ekspertët e pavarur mjekësorë kanë konstatuar se ai po merr kujdes të përshtatshëm në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së dhe në spitalin e burgut. Në vendim thuhet se nuk është gjetur asnjë mungesë trajtimi që do të justifikonte lirimin e tij.
Mlladiç është vendosur në një strukturë të re spitalore burgu, të pajisur për kujdes mjekësor kompleks, me monitorim të vazhdueshëm, ndihmë për aktivitetet e përditshme, kujdes paliativ, përkthyes dhe mundësi transferimi të shpejtë në spitale civile nëse është e nevojshme.