Qeveria Kurti mori vendimin: 50 mijë euro për rindërtimin e xhamisë së Ibrit në Mitrovicë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka drejtuar mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar pas kalimit të Qeverisë në statusin “në detyrë”. Në këtë mbledhje, ndër vendimet kryesore ishte miratimi i rialokimit të 50 mijë eurove për projektin e rikonstruktimit të xhamisë së Ibrit në Mitrovicë.
Kurti tha se rindërtimi i xhamisë së djegur të Ibrit ka rëndësi të veçantë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës. Sipas tij, ky objekt përfaqëson një simbol të bashkëjetesës dhe diversitetit kulturor në Mitrovicë, ndërsa synimi është që pas ndërhyrjeve fillestare të rindërtimit, xhamia të ruhet dhe restaurohet si objekt me vlerë historike e kulturore.
“Rikonstruktimi i xhamisë së djegur të Ibrit paraqet një hap me rëndësi në ruajtjen e dëshmisë kulturore e fetare dhe diversitetit kulturor të Kosovës. Kjo xhami ka një vlerë të veçantë për komunitetin lokal dhe përfaqëson një simbol të bashkëjetesës dhe trashëgimisë së qytetit të Mitrovicës”, deklaroi Kurti para miratimit të pikës.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe themelimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, me mandat trevjeçar. Ministri i Punës, Andin Hoti, tha se ky mekanizëm do të synojë forcimin e standardeve të sigurisë në punë, parandalimin e aksidenteve dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane. Këshilli do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve, punëdhënësve, punëmarrësve dhe ekspertëve të fushës.
Kabineti qeveritar miratoi gjithashtu ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Një tjetër vendim lidhej me shpronësimin e disa pronave të paluajtshme në Podujevë, të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Sipas Qeverisë, këto prona do të shërbejnë për realizimin e projekteve “Ndërtimi i banesave me kosto të përballueshme” dhe “Objekti Edukativo-Arsimor – Çerdhe për fëmijë”.
Ndër pikat e miratuara ishte edhe propozimi i ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, për përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra Ushtarake. Lista do të harmonizohet me atë të Bashkimit Evropian për mallrat që kontrollohen për arsye të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike dhe të drejtave të njeriut.
Në total, kabineti i kryeministrit në detyrë Albin Kurti miratoi këto pika dhe 13 të tjera të rendit të ditës.
Kjo ishte mbledhja e parë e Qeverisë në detyrë, pas konstituimit të institucioneve më 11 shkurt, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kuvendi u shpërnda pasi deputetët e legjislaturës së dhjetë nuk arritën të zgjedhin presidentin ose presidenten brenda afateve kushtetuese.